Transmetuar më 12-01-2026, 19:07

GJIROKASTËR – Një zjarr i rënë pasditen e sotme në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër rrezikoi seriozisht jetën e një të moshuare, e cila mbeti e bllokuar brenda banesës së saj.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) Gjirokastër, rreth orës 17:49 shërbimet zjarrfikëse u njoftuan nga Policia e Shtetit për shpërthimin e flakëve në një apartament në katin e parë të një pallati.

Menjëherë drejt vendngjarjes u nis një automjet zjarrfikës me efektivët përkatës. Pas mbërritjes, u konstatua se në banesë ndodhej një e moshuar, shtetasja Cevi Jonuzi, 83 vjeçe, e cila nuk ishte në gjendje të dilte jashtë dhe ndodhej në gjendje asfiksie për shkak të tymit dhe flakëve.

Zjarrfikësit ndërhynë me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur nxjerrjen e saj nga banesa dhe transportimin e menjëhershëm drejt urgjencës për ndihmë mjekësore.

Operacioni vijoi me neutralizimin e plotë të flakëve, duke shmangur përhapjen e zjarrit drejt apartamenteve të tjera dhe rrezikimin e banorëve të pallatit. Si pasojë e zjarrit, në banesë janë regjistruar dëme materiale, ndërsa shkaqet e rënies së flakëve pritet të sqarohen nga ekspertët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit