Transmetuar më 12-01-2026, 18:43

TIRANË – Qeveria ka gjetur një mënyrë të re për të shtuar të ardhurat e buxhetit të shtetit, duke kontribuuar njëkohësisht në heqjen e dyshimeve për probleme të mundshme të automjeteve në rast shitjeje apo kalimi të një numri të madh kilometrash të kryer.

Me një vendim që hyn në fuqi këtë vit më 1 dhjetor, ndryshojnë rregullat për kolaudimin e mjeteve rrugore në Shqipëri, duke parashikuar kontroll teknik të detyrueshëm pas çdo ndryshimi të pronarit të automjetit.

Masat e reja janë përcaktuar në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2026.

Sipas udhëzimit, pavarësisht se kur është kryer kontrolli i fundit teknik, autoriteti kompetent do të ketë të drejtë të kërkojë një kolaudim të ri në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit të mjetit.

Kështu nëse ju keni bërë kolaudim makine fjala vjen në shkurt dhe në mars e shisni makinën, edhe pse kolaudimi vlen dy vjet, në këtë rast vlen vetëm për periudhën deri në shitje, duke sjellë një proces të ri kolaudimi dhe pagesash.

I njëjti detyrim parashikohet edhe për automjetet që kanë përshkuar mbi 160 mijë kilometra. Edhe ato do të duhet ti nënshtrohen kolaudimit dhe pagesave të përsëritura ose të dubluara.

DPSHTRRSH thotë se kjo bëhetduke synuar rritjen e sigurisë rrugore dhe kontroll më rigoroz të gjendjes teknike të mjeteve.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare, kur është e zbatueshme, do të përdorin platformën e Komisionit Evropian për të shkëmbyer të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximin e odometrit me institucionet homologe të shteteve anëtare të BE-së.

Nëpërmjet këtyre platformave, inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve do të kenë akses edhe në informacione mbi historikun e aksidenteve të automjeteve dhe elementët e sigurisë së tyre, veçanërisht për mjetet që kanë qenë të përfshira në ngjarje rrugore.

Udhëzimi parashikon edhe ndryshime të tjera strukturore, përfshirë një riformatim të kategorizimit të mjeteve, me qëllim përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë rrugore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit