

Durrës, 12 janar 2026
Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), është vendosur që nëna dhe tre fëmijët e saj, Blerina Basha, të asistohen menjëherë me ndihmë mjekësore dhe sociale.
Sipas vendimit, ndërhyrja nis me sigurimin e të gjitha medikamenteve të nevojshme për trajtimin e sëmundjes infektive të zgjebes. Familja do të vijojë të qëndrojë në spital deri në shërimin e plotë nga sëmundja ngjitëse, ndërsa më pas do të zbatohet një proces i vazhdueshëm mbikëqyrjeje sociale në banesë. Paralelisht, do të kryhet pastrimi dhe dezinfektimi i apartamentit ku ata jetojnë.
Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit, Diola Xhango, bëri të ditur se në mbledhjen e GTN-së morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, Policisë, Shëndetësisë dhe organizatave jofitimprurëse, duke u dakordësuar një plan i koordinuar ndërhyrjeje në funksion të forcimit dhe riintegrimit të familjes.
Sipas planit të miratuar, tre fëmijëve u janë dërguar veshmbathje në spital, ndërsa pritet të sigurohen edhe medikamentet e nevojshme për trajtimin, pasi ato nuk gjenden aktualisht në shërbimin e pediatrisë. Trajtimi mjekësor do të përfshijë si fëmijët, ashtu edhe nënën e tyre. Financimi i këtyre ndërhyrjeve është marrë përsipër nga organizatat Nisma ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë, do të nisë procesi i pasaportizimit dhe zhvendosjes së regjistrimit të familjes, e cila aktualisht figuron e regjistruar në Vau i Dejës. Regjistrimi si banorë të Bashkisë Durrës do t’i hapë rrugë përfshirjes së familjes në skemat e strehimit social.
Për nënën e fëmijëve, në bashkëpunim me Zyrën e Punës, do të shqyrtohet mundësia e punësimit në një vend pune të rregullt dhe dinjitoz, me orar 8-orësh, në mënyrë që ajo të ketë mundësi të kujdeset për rritjen dhe mirëqenien e fëmijëve. Aktualisht, ajo punon deri në 16 orë në ditë. Gjithashtu, do t’i ofrohet mbështetje psiko-sociale.
Shërbimi Social do të kryejë kontrolle dhe mbikëqyrje të përditshme të befasishme për të vlerësuar mbarëvajtjen e situatës familjare. Nëna do të jetë në një periudhë prove, gjatë së cilës do të vlerësohet aftësia e saj për të ushtruar kujdestarinë ndaj fëmijëve, me synimin përfundimtar mbajtjen e familjes së bashku dhe garantimin e interesit më të lartë të fëmijëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






