Transmetuar më 12-01-2026, 17:13

#ANALIZË / Tregtia midis Kinës dhe Azisë Qendrore vlerësohet mbi 100 miliardë dollarë në vitin 2025

Në tre tremujorët e parë të vitit 2025, tregtia midis Kinës dhe pesë vendeve të Azisë Qendrore arriti në 80 miliardë dollarë, me një rritje prej 15.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit pararendës, dhe vlerësohet që i ka kaluar 100 miliardë dollarët në mbarë vitin. Kjo tregon se Kina ka ruajtur pozicionin e vet si partnerja më e madh tregtare e Azisë Qendrore për shumë vjet rresht.

Aktualisht, mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Azi Qendrore ka krijuar një strukturë të mirë organizative. Trembëdhjetë platforma bashkëpunimi në nivel ministror po funksionojnë në mënyrë efikase, dhe sekretariati i përhershëm i është përkushtuar plotësishtë punës, duke formuar një model bashkëpunimi shumënivelësh dhe gjithëpërfshirës.

Sa i përket tregtisë, bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore ka dhënë rezultate të ndjeshme, duke pasur jo vetëm rritje të vëllimit të tregtisë, por edhe përmirësim të vazhdueshëm të strukturës tregtare. Gjithnjë e më shumë produkte bujqësore dhe industriale me cilësi të lartë nga Azia Qendrore po hyjnë në tregun kinez dhe janë të mirëpritura nga konsumatorët kinezë.

Bashkëpunimi në fushën e investimeve ka qenë gjithashtu i frytshëm. Investimet e Kinës në vendet e Azisë Qendrore i tejkaluan 50 miliardë dollarët, duke e bërë atë një burim të madh investimesh në rajon. Fushat e bashkëpunimit janë zgjeruar nga ato tradicionale, si energjetika e infrastruktura, në teknologjitë e përparuara, si teknologjia e komunikimit 5G, energjia e re dhe inteligjenca artificiale.

Shkëmbimet njerëzore po tregojnë një prirje të fuqishme zhvillimi. Në tre tremujorët e parë të vitit 2025, numri i banorëve nga pesë vendet e Azisë Qendrore që vizituan Kinën u shtua 37.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa numri i vizitorëve kinezë në Azinë Qendrore u rrit me 50 %.

Ndërkohë transporti është bërë më i lirshëm. Fluturimet e drejtpërdrejta midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore i kalojnë 100 në javë, dhe numri i binjakëzimeve të qyteteve ka arritur në 100. Këto shifra pasqyrojnë fuqinë e shkëmbimeve njerëzore dypalëshe.

Institutet "Konfuci" dhe punishtet "Luban", qendra kulturore kineze, janë shumë të njohura në vendet e Azisë Qendrore. Këto institucione jo vetëm përhapin kulturën kineze, por edhe trajnojnë profesionistë vendas, duke shërbyer si ura miqësie.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit