

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar verifikimet edhe ndaj projektit “Durana Tech Park”, të administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe aktorët kryesorë të saj.
Sipas burimeve mediatike, verifikimet po përqendrohen te disa kompani të regjistruara në parkun teknologjik DURANA, për të cilat ka dyshime se kanë lidhje direkte ose indirekte me persona dhe subjekte të përfshira në skandalin e AKSHI-t. Mes tyre përmenden emra të njohur të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe të përfituesve të tenderëve publikë.
Burime pranë hetimit sqarojnë se nuk bëhet fjalë për një hetim të përgjithshëm ndaj të gjitha subjekteve të regjistruara në park, por për kompani specifike, të cilat dyshohet se janë pjesë e së njëjtës skemë të dokumentuar në dosjen AKSHI.
Lidhja me dosjen AKSHI
Zgjerimi i hetimeve lidhet drejtpërdrejt me procedimin penal për AKSHI-n, ku prokurori i posaçëm Bledar Maksuti ka evidentuar një skemë të përqendrimit të tenderëve publikë te një numër i kufizuar kompanish, përmes kostove të fryra dhe ndikimit në proceset e prokurimit.
Sipas hetimeve paraprake, këto kompani përfitonin fonde publike në mënyrë të vazhdueshme dhe, paralelisht, dyshohet se shmangnin detyrimet fiskale. Në këtë kuadër, projekti DURANA po shihet si një element shtesë i së njëjtës skemë, ku përfitimi nuk kufizohej vetëm te tenderët publikë, por shtrihej edhe te lehtësirat dhe përjashtimet tatimore.
SPAK po verifikon nëse parku teknologjik është përdorur për favorizim selektiv dhe shmangie taksash, duke i shkaktuar një dëm të dyfishtë buxhetit të shtetit.
Çfarë është “Durana Tech Park”
“Durana Tech Park” është një park teknologjik dhe shkencor i krijuar në bazë të ligjit për parqet teknologjike dhe shkencore, i administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe i shpallur zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.
Statusi i parkut u garanton subjekteve të regjistruara lehtësira të gjera fiskale, përfshirë përjashtime ose ulje të tatim-fitimit, tatimit mbi të ardhurat personale dhe TVSH-së, në përputhje me parashikimet ligjore.
Ky mekanizëm u aplikua në një periudhë kur privilegjet fiskale për kompanitë e IT-së po hiqeshin gradualisht për shkak të presionit ndërkombëtar, çka ka ngritur dyshime se DURANA është përdorur si një skemë alternative për shmangien e detyrimeve tatimore.
Denoncimet publike
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka denoncuar publikisht projektin DURANA, duke e cilësuar atë si një formë të re të favorizimit fiskal për një grup të caktuar kompanish të IT-së, pas rrëzimit të skemës së mëparshme të taksimit preferencial.
Sipas Ahmetajt, përmes regjistrimit në këtë park, kompani që vijonin të fitonin tenderë publikë përfitonin njëkohësisht edhe nga përjashtimi nga detyrimet tatimore, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin real të projektit dhe përputhjen e aktivitetit të subjekteve të regjistruara me kriteret ligjore të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit.
Hetimet nga SPAK vijojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me këtë çështje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






