

Lezhë- Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar mesditën e sotme në ambientet e një lokali në qytetin e Lezhës, ku dy persona kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e një konflikti fizik.
Sipas deklarimeve të njërit prej të dëmtuarve, Nikolin Marku, dhunimi i tij është kryer nga disa persona të maskuar, me urdhër të dyshuar nga Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Marku pretendon se në mesin e autorëve ishte edhe djali i Gëzim Ndokës, i cili është paraqitur si nip i ish-deputetit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda lokalit, ku rreth pesë persona të maskuar kanë hyrë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Markut dhe kushëririt të tij. Të dy kanë pësuar dëmtime trupore dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Sipas dëshmisë së Markut, pas ngjarjes dhe gjatë kohës që ai ndodhej në spital për mjekim, Gëzim Ndoka dyshohet se e ka kërcënuar personalisht.
Reagimi zyrtar i Policisë
Policia e Lezhës, përmes një njoftimi zyrtar, bën me dije se rreth orës 12:30, në një lokal në qytet, shtetasit Gj. M., 41 vjeç dhe N. M., 41 vjeç (kushërinj), janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit G. N., rreth 53 vjeç dhe K. N., rreth 20 vjeç (babë e bir).
Si pasojë e konfliktit, dy kushërinjtë kanë mbetur të dëmtuar dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore, janë paraqitur në Komisariatin e Policisë, ku kanë deklaruar se personat me të cilët u konfliktuan kanë qenë të armatosur.
Policia njofton se vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasve G. N. dhe K. N., ndërsa një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po punon për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






