Transmetuar më 12-01-2026, 13:50

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se viti 2026 do të shënojë përmbysjen e regjimeve diktatoriale dhe triumfin e lirisë për kombet që vuajnë nën shtypje.

Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se pas zhvillimeve ndërkombëtare që kanë çuar drejt vendosjes përpara drejtësisë të disa regjimeve autoritare, radhën, sipas tij, e kanë autoritetet fetare që drejtojnë Iranin.

“2026-a është viti i përmbysjes së diktaturave, viti i zi për diktatorët dhe viti i lirisë për kombet. Kombi pers është në këmbë për lirinë dhe dinjitetin e tij, kundër regjimit më obskurantist që ka njohur ndonjëherë”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi regjimin iranian se po përdor dhunë ekstreme për të shtypur protestat popullore, duke theksuar se ka pasur qindra, në mos mijëra, viktima që ai i cilësoi si “martirë të lirisë”. Sipas Berishës, megjithë represionin, lëvizja opozitare iraniane është e pandalshme.

“Regjimi i Ajetollahëve i ka ditët e numëruara. Liria ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Iranit janë të gatshëm ta paguajnë atë”, tha ai.

Në këtë kuadër, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet fuqishëm opozitën iraniane në përpjekjet e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur. Ai i bëri thirrje gjithashtu qeverive të vendeve të lira, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të mbështesin popullin iranian në betejën e tij kundër regjimit aktual.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit