Transmetuar më 12-01-2026, 12:55

Tiranë- Grupi Parlamentar i PD kallëzon për “Shpërdorim detyre” Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi.

Shkak është bërë sipas PD-së, bllokimi i mbledhjes së Këshillit të Mandateve për çështjen Balluku.

Grupi Parlamentar i PD-së ka bërë disa herë kërkesë drejtuar Kuvendit, për të mbledhur Këshillin e Mandateve për çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin e saj.

Ndërkohë, Peleshi pavarësisht kërkesave, nuk ka mbledhur Këshillin. Bashkëlidhur njoftimi për shtyp i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

NJOFTIM PËR SHTYP

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj Kryetari të Kuvendit Niko Peleshi.

Rezulton se me shkresën nr. 43019 prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes, zëvëndëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur në datën 19.12.2025, ora 10:30, për shqyrtimin e kësaj kërkese. Në mënyrë arbitrare, pa një vendimmarrje të Këshillit, kryetari i Kuvendit ka ndërprerë mbledhjen, pa caktuar mbledhjen e ardhshme, me arsyetimin sipas tij për t’iu dhënë kohë anëtarëve dhe palëve të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.

Duke shfrytëzuar të drejtën që iu njeh neni 13, pika 6, e Rregullores së Kuvendit, 5 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përkatësisht me kërkesat e datave 22 Dhjetor, 23 Dhjetor, 29 Dhjetor, 30 Dhjetor 2025 dhe 6 Janar 2026. Në përmbajtje të këtyre kërkesave, deputetët kanë arsyetuar se pasur parasysh precedentët e mëparshëm, koha ka qenë mëse e mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe përgatitur mbrojtjen, si dhe duke mbajtur në konsideratë qëndrimin e Prokurorisë të shprehur me shkrim dhe me gojë gjatë mbledhjes së parë lidhur me natyrën e ngutshme të kësaj kërkese dhe prishjen e provave (intimidimin e dëshmitarëve) nga e pandehura Belinda Balluku, është e nevojshme që Këshilli të mblidhet sa më shpejt për vijimin e shqyrtimit të kërkesës, me qëllim që të mos bëhet pengesë për mbarëvajtjen e hetimeve.

Megjithëse, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, referuar nenit 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit, kishte detyrimin për mbledhjen e Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës, ai ka refuzuar kërkesat e përsëritura të pesë anëtarëve të Këshillit, në mënyrë tërësisht arbitrare dhe të paligjshme, duke cënuar njëkohësisht të drejtën e ligjshme të deputetëve për të thirrur mbledhjen e Këshillit, dhe si rezultat i zvarritjeve të pajustifikuara edhe mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme. Në këto kushte, është e qartë se shtetasi Niko Peleshi, me detyrë kryetar i Kuvendit, ka konsumuar katër elementët e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke refuzuar mbledhjen e Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës (mosveprimi), në kundërshtim me nenin 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit (në kundërshtim me ligjin), duke shfrytëzuar funksionin e tij si Kryetar i Kuvendit (funksioni publik), duke dëmtuar kështu të drejtën e deputetëve për mbledhjen e Këshillit dhe mbarëvajtjen e hetimeve penale (dëmtimi i interesave të shtetit dhe të shtetasve).

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit