Transmetuar më 12-01-2026, 12:52

Athinë – Lokali “O Gyros tou Asyrmatou”, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u plagosën babë e bir shqiptarë me mbiemër Sinovarfaj, rezulton i lidhur me dosjen “Sky ECC” të autoriteteve greke. Në dhjetor 2024, operacioni i kësaj dosjeje çoi në arrestimin e 24 personave, përfshirë 14 shtetas shqiptarë, pjesë e grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe veprime të tjera kriminale.

Sipas dokumenteve zyrtare, pronar “fantazmë” i lokalit ka qenë Andon Salati, 32 vjeç nga Vlora, banues në Nea Smyrni të Athinës. Zyrtarisht, lokali është në pronësi të shoqërisë “K SALATI N SINOVARFAJ O.E.”. Salati, i njohur me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”, është i dyshuar për aktivitet kriminal dhe përdorim të platformave të kriptuara si Sky ECC dhe Encrochat për të menaxhuar trafikun e drogës.

Grupi i Salatit, në bashkëpunim me Denis Grabockën, është i përfshirë në trafik ndërkombëtar të marijuanës dhe kokainës nga Spanja dhe Shqipëria për në Greqi. Anëtarë të grupit përfshinin edhe Aleksandër Sadikaj nga Memaliaj, i ekzekutuar në Tiranë në vitin 2022.

Në dosjen e hetimit rezulton se Salati ka vazhduar të menaxhojë aktivitetin kriminal edhe gjatë qëndrimit në burgjet greke, duke komunikuar me të burgosurit e tjerë dhe duke përdorur lidhje me punonjës të burgut.

Përveç lokalit, Salati dhe Grabocka kanë rezultuar pronarë të fshehtë të një kompanie qeraje automjetesh në Athinë, “CARENT”, që ka në pronësi 50 automjete dhe 18 motorë. Sipas hetimeve, automjetet përdoren nga anëtarë të organizatës për lëvizje nën mbulesë ligjore, dhe kompania ka lidhje me “I GO RENTAL” në Mykonos, aktive që nga viti 2017.

Ngjarja e plagosjes së babë e bir Sinovarfaj ka risjellë në fokus lidhjet e lokalit me aktivitetet kriminale të grupeve të organizuara në Athinë, ndërsa policia greke vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe motivet e sulmit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit