

Tiranë – Një sipërmarrës 55-vjeçar nga Shkodra u bë viktimë e një mashtrimi të sofistikuar, ku persona të paidentifikuar u prezantuan si kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.
Sipas hetimeve, viktima mori një mesazh në Viber:
“Tonin Marinaj jam, kam për të bërë një pagesë urgjente në Tiranë, më duhen 40 mijë euro”.
Duke qenë se biznesmeni kishte lidhje shoqërore me kryebashkiakun, ai i besoi mesazhit dhe pranoi të dorëzonte shumën e kërkuar. Pika e takimit u caktua në rrethrrotullimin e Rinasit, ku ai i dorëzoi paratë personave që pretendonin se përfaqësonin kryetarin e bashkisë.
Pas dorëzimit, biznesmeni tentoi të komunikonte sërish në Viber, por nuk mori përgjigje. Ai u mundua të kontaktojë edhe përmes WhatsApp, ku më pas zbuloi se kishte rënë viktimë e mashtrimit. Personat që morën paratë i kthyen vetëm një përgjigje:
“Mos u merr më me ne, jemi nga SPAK.”
Hetimet e krimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës zbuluan skemën e përdorur. Katër persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim. Skema përfshinte krijimin e mesazheve dhe komunikimeve mashtruese në platforma të ndryshme digjitale për të bindur viktimat të dorëzonin paratë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






