Transmetuar më 12-01-2026, 11:07

Tiranë – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se BE-ja do të vijojë mbështetjen e plotë për sistemin e drejtësisë në vend, duke e konsideruar atë thelbësor për qytetarët dhe për procesin e integrimit evropian.

Gjatë një konference mbi sigurinë juridike, qartësinë dhe zbatimin koherent të ligjit në Shqipëri, Gonzato theksoi se ngarkesa e lartë e çështjeve për gjyqtarët ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e drejtësisë, ndaj sipas tij nevojitet rritje e kapaciteteve njerëzore në sistem.

Ai u shpreh se vendi ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë, duke nënvizuar se të gjitha vendet vakante duhet të plotësohen sa më shpejt.

“Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do ta mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjyqtarët kanë një numër shumë të lartë çështjesh dhe kjo e bën të vështirë garantimin e cilësisë. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë thelbësorë për një drejtësi më cilësore dhe për suksesin e reformës në drejtësi”, u shpreh ambasadori Gonzato.

Nga ana tjetër, diplomati evropian vuri theksin edhe te rëndësia e sigurisë juridike për investitorët e huaj, veçanërisht për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së që synojnë të investojnë në Shqipëri.

“Në të ardhmen e afërt, qytetarët e BE-së mund të duan të hapin biznese në Shqipëri apo të blejnë prona. Ata presin që Shqipëria të ofrojë të njëjtat garanci ligjore si çdo shtet anëtar i BE-së. Kjo kërkon njohje dhe zbatim të rregullave evropiane dhe përbën një sfidë shtesë në një realitet kompleks. Projekti i BE-së për drejtësinë do të angazhohet ngushtë për adresimin e këtyre çështjeve”, tha Gonzato.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit