Transmetuar më 12-01-2026, 08:10

Tiranë, 12 Janar 2026

Nga muaji mars 2026, familjet shqiptare me fëmijë nën moshën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim financiar për shpenzimet e përkujdesit dhe arsimit, përmes rillogaritjes së tatimit mbi të ardhurat e paguar gjatë vitit 2025.

Për herë të parë, ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon që njërit prej prindërve t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të vitit 2025 shpenzime në vlerën 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën 18 vjeç, si dhe një shpenzim fiks prej 100 mijë lekësh në vit për arsimin e fëmijëve, me kusht që të ardhurat vjetore të individit të mos kalojnë kufirin prej 1.2 milionë lekësh.

Kompensimi nuk do të jetë një shumë fikse e përfituar drejtpërdrejt, por do të vijë si rezultat i uljes së bazës tatimore. Këto shpenzime do të zbriten nga të ardhurat vjetore bruto dhe më pas do të rillogaritet tatimi përfundimtar. Nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton më i lartë se tatimi i rillogaritur, diferenca do t’i kthehet individit si rimbursim.

Zbritja prej 48 mijë lekësh në vit llogaritet për çdo fëmijë nën 18 vjeç, pavarësisht nivelit të të ardhurave të prindërve. Ndërkohë, shpenzimi prej 100 mijë lekësh në vit për arsim përfitohet vetëm nga individët me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë.

Në rastin e çifteve bashkëshortore, e drejta për zbritjen e shpenzimeve për fëmijët dhe arsimin i takon vetëm prindit me të ardhura vjetore më të larta. Zbritja nuk mund të ndahet mes të dy prindërve, përveç rasteve kur të ardhurat janë të barabarta.

Gjatë vitit 2025, tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj. Rillogaritja do të bëhet në muajin mars 2026, përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA), e cila duhet dorëzuar deri më 31 Mars 2026.

Pas rillogaritjes, nëse tatimi i ri rezulton më i ulët se ai i paguar gjatë vitit, individi ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e diferencës brenda 3 muajve nga dorëzimi i DIVA-s.

Sipas shembullit ilustrues, një individ me të ardhura mujore 70 mijë lekë, ose 840 mijë lekë në vit, që ka paguar tatim vjetor prej 62,400 lekësh dhe ka dy fëmijë nën 18 vjeç, përfiton zbritje prej 96,000 lekësh për fëmijët dhe 100,000 lekë për arsimin. Pas zbritjeve, tatimi i ri llogaritet në 29,120 lekë, duke krijuar një diferencë prej 33,280 lekësh, e cila mund të kërkohet si rimbursim.

Për të përfituar nga kjo skemë, individët duhet të ruajnë dokumentacionin përkatës, përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim dhe kontratat apo faturat e institucioneve arsimore, përfshirë pagesat për kurse dhe gjuhë të huaja.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit