

28 dhjetor 2025
Ylli i Betlehemit, i përshkruar në Bibël si shenja qiellore që udhëhoqi natën e Lindjes së Krishtit, vijon të mbetet një nga misteret më të diskutuara të historisë. Sipas një studimi të fundit shkencor, fenomeni mund të ketë pasur një shpjegim plotësisht natyror.
Studiuesi i NASA-s, Mark Matney, në një artikull të publikuar në Journal of the British Astronomical Association, sugjeron se përshkrimet biblike përputhen më së shumti me karakteristikat e një komete që është afruar shumë pranë Tokës. Sipas tij, qëndrimi i gjatë dhe ndriçimi i fortë i objektit qiellor mund të shpjegohen shkencërisht vetëm nga prania e një komete.
Studimi hedh hipotezën se objekti qiellor ka kaluar në një distancë shumë të afërt me Tokën, pothuajse sa largësia mes Tokës dhe Hënës, rreth 384 mijë kilometra. Sipas të dhënave, kometa dyshohet se ka ardhur nga Mjegullnaja e Oortit, një rajon i largët që konsiderohet burimi kryesor i kometave në Sistemin Diellor.

Sipas Matney-t, fenomeni mund të ketë ndodhur rreth vitit 33 para erës sonë, periudhë që përkon me lindjen e Jezusit, duke i dhënë kështu një bazë shkencore njërit prej tregimeve më të njohura biblike.
Astronomi është mbështetur gjithashtu në burime historike të qytetërimeve të lashta. Regjistrat kinezë përmendin një “yll në formë fshese” që qëndroi i dukshëm në qiell për rreth 70 ditë në të njëjtën yjësi, në vitin 5 para erës sonë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se një qëndrim kaq i gjatë nuk përputhet plotësisht me sjelljen tipike të një komete.
Kjo ka hapur edhe një tjetër hipotezë, sipas së cilës fenomeni mund të ketë qenë një nova, pra shpërthimi i një ylli me përmasa të vogla, çka tregon se misteri i Yllit të Betlehemit mbetet ende i hapur për interpretim mes besimit, historisë dhe shkencës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






