

Tiranë, 11 janar 2026 Tekstet shkollore në Shqipëri pritet t’i nënshtrohen një procesi të gjerë ndryshimi gjatë pesë viteve të ardhshme, në kuadër të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Programet e reja mësimore janë miratuar nga Ministria e Arsimit dhe do të shërbejnë si udhëzues për hartuesit e teksteve dhe mësuesit në përditësimin e kurrikulave për nivele të ndryshme shkollore.
Ekspertët e arsimit theksojnë se ndryshimet duhet të jenë të përshtatura me realitetin e nxënësve shqiptarë dhe jo thjesht një kopjim i modeleve europiane.
“Ato ndryshime kurrikulare që vijnë me rekomandimin e Bashkimit Europian nuk duhet të jenë thjesht përshtatje apo kopje të sistemeve të vendeve të tjera. Shqipëria ka burime të mjaftueshme njerëzore dhe intelektuale për të ndërtuar një sistem të sajin arsimor”, u shpreh Irsa Ruçi, eksperte arsimi.
Dokumentet e reja orientuese parashikojnë një rol më të madh të teknologjisë në procesin mësimor, duke përfshirë përdorimin e internetit dhe inteligjencës artificiale si mjete mbështetëse për zhvillimin e njohurive të nxënësve. Përdorimi i teknologjisë do të integrohet edhe në lëndën e gjuhës shqipe, me synim përmirësimin e cilësisë së të nxënit, rritjen e motivimit dhe zgjerimin e burimeve përtej tekstit tradicional.
“Është e domosdoshme të ecim drejt dixhitalizimit, që mësimi të jetë interaktiv dhe jo thjesht përcjellje informacioni. Edukimi politik, fetar, kundër ekstremizmit dhe dhunës është shumë i rëndësishëm në kohën ku jetojmë”, theksoi Ruçi.
Programi i përditësuar i gjuhës shqipe synon të mos fokusohet vetëm te korrektësia gramatikore, por edhe te zhvillimi i aftësive komunikuese në situata të ndryshme të jetës së përditshme.
“Gjuha shqipe duhet studiuar si një shkencë më vete. Ajo është struktura që mban identitetin tonë kombëtar. Para se të komunikojnë, nxënësit duhet ta kuptojnë thellësisht gjuhën”, shtoi ekspertja.
Një tjetër element kyç i reformës kurrikulare mbetet qasja socio-emocionale në mësimdhënie, me fokus zhvillimin e empatisë, ndërtimin e identitetit qytetar dhe rritjen e vetëdijes shoqërore te nxënësit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






