

Aktorja e madhe shkodrane Zyliha Miloti, një nga ikonat më të dashura të humorit shqiptar, feston sot 80-vjetorin e lindjes. “Mjeshtrja e Madhe”, siç njihet nga publiku dhe institucionet, vijon të mbetet një figurë emblematike e skenës shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe të jashtëzakonshme që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin e humorit.
Zyliha Miloti u ngjit për herë të parë në skenë vetëm 14 vjeçe, ndërsa sot, 66 vite më pas, ajo vazhdon të dhurojë humor të pakrahasueshëm, duke bërë për të qeshur dhe reflektuar breza të tërë shqiptarësh.
Personazhet e saj janë kthyer në simbole të humorit popullor, ndërsa batutat e interpretuara prej saj kanë kaluar nga një brez në tjetrin, duke e bërë pjesë të pandarë të kujtesës kolektive.
E lindur dhe e rritur në Shkodër, Zyliha Miloti ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e humorit shkodran dhe shqiptar, duke marrë gjithmonë duartrokitje të pafundme nga publiku i saj besnik. “Duartrokitjet e Shkodrës nuk mbarojnë kurrë për ty”, është mesazhi që shoqëron sot urimet për ikonën e skenës.
Gjatë karrierës së saj, Zyliha Miloti është vlerësuar me dhjetëra çmime, tituj dhe dekorata, ndër më të rëndësishmet:
– titulli “Artiste e Merituar”,
– vlerësimi “Gruaja e Vitit 2000–2001” nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, ku u përzgjodh mes 2000 personaliteteve botërore,
– çmime të shumta në aktivitetin “Ditët e Humor”,
– çmimi “Naim Frashëri i Artë”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”,
– si dhe dekorata “Mjeshtre e Madhe”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Në këtë ditë të veçantë, Zyliha Miloti merr urime të shumta nga publiku, kolegët dhe artdashësit, si një simbol i gjallë i humorit, artit dhe kulturës shqiptare.
Jetë të gjatë dhe shëndet, ikonë e skenës shqiptare!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






