

Fier, 11 janar 2026 Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Vjosë, njësia administrative Cakran, ku shtetasi Altin Meçaj, emigrant në Gjermani, ka rënë pre e një sulmi brutal rreth orës 23:00.
Sipas dëshmisë së tij, sulmi dyshohet të ketë ndodhur pas një komenti të bërë në rrjetin social Facebook ndaj një bashkëfshatareje, e cila, sipas Meçajt, është motra e një punonjësi policie në Komisariatin e Fierit. Ai ka rrëfyer momentet e frikës dhe dhunës, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
Në këtë episod është dhunuar edhe babai i tij, Ylli Meçaj, 80 vjeç, i cili ka treguar se ka gjetur të birin të shtrirë në tokë, pa ndjenja dhe në gjendje të rëndë. Sipas tij, familja nuk ka pasur kurrë më parë konflikte apo probleme me persona të tjerë në zonë.
Babë e bir i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë me apel për hetim të paanshëm dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës. Ndërkohë, pritet reagimi i autoriteteve lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe personat e përfshirë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






