

Tiranë, 11 janar 2026 Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u godit një rast mashtrimi me vlerë 40 mijë euro dhe u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatet e Policisë së Kavajës dhe Divjakës, pas kallëzimit të një shtetasi 55-vjeçar, i cili kishte rënë pre e mashtrimit nga disa persona.
Nga veprimet hetimore u identifikuan gjashtë shtetas, ndërsa katër prej tyre u arrestuan në flagrancë: Krenar Toromeni, 36 vjeç, banues në Divjakë; Ilia Gjini, 24 vjeç, banues në Divjakë; Artur Lecini, 39 vjeç dhe Elton Rrushi, 38 vjeç, banues në Kavajë. Ndërkohë, dy shtetas të tjerë, E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë, autorët, duke u prezantuar si persona të njohur të viktimës, i kanë marrë 55-vjeçarit shumën prej 40 mijë eurosh në rrethrrotullimin e Rinasit, përmes mashtrimit.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Artur Lecini, ku u gjet edhe shtetasi Elton Rrushi, policia zbuloi një ambient të fshehtë të pajisur me llamba dhe ventilatorë për kultivimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u sekuestruan dhjetëra bimë Cannabis, pajisje për kultivim, sasi kokaine dhe kanabisi, katër telefona celularë, si dhe një automjet tip “Audi Q5”, me të cilin grupi dyshohet se u largua pas marrjes së parave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






