

SHBA- Presidenti Donald Trump është informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake në Iran, ndërsa ai po shqyrton zbatimin e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shtypjen e protestuesve, sipas shumë zyrtarëve amerikanë të njohur me çështjen.
Trump nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por zyrtarët thanë se ai po shqyrtonte seriozisht autorizimin e një sulmi në përgjigje të përpjekjeve të regjimit iranian për të shtypur demonstratat e shkaktuara nga ankesat e përhapura ekonomike. Presidentit i është paraqitur një sërë opsionesh, duke përfshirë sulme në vende jo-ushtarake në Teheran, thanë njerëzit, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar biseda konfidenciale.
E pyetur në lidhje me planifikimin e sulmeve të mundshme, Shtëpia e Bardhë iu referua komenteve publike të zotit Trump dhe postimeve në mediat sociale në ditët e fundit.
"Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë!!!," shkroi zoti Trump në mediat sociale të shtunën.
Demonstratat në Iran filluan në fund të dhjetorit në përgjigje të një krize valutore, por që atëherë ato janë përhapur dhe janë rritur në madhësi pasi shumë iranianë kanë bërë thirrje për ndryshime të mëdha në qeverinë autoritare të vendit. Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar se do të shtypin demonstratat dhe dhjetëra protestues janë vrarë, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha të premten se qeveria nuk do të tërhiqet përballë protestave në shkallë të gjerë. Trump ka kërcënuar vazhdimisht të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër qeverisë iraniane për të shtypur protestat dhe tha të premten se Irani është në një pozicion shumë të vështirë.
“Kam qenë shumë i qartë se nëse ata fillojnë të vrasin njerëz, siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të ndërhyjmë. Ne do t’i godasim shumë fort – aty ku dhemb. Dhe kjo nuk do të thotë trupa në terren, por shumë, shumë fort. Ne nuk duam që kjo të ndodhë”, u tha ai gazetarëve të premten gjatë një takimi me drejtuesit e industrisë së naftës.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio foli në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën në mëngjes, sipas asaj që tregojnë 3 personave që kanë pasur dijeni për bisedën. Të dy udhëheqësit diskutuan protestat në Iran, si dhe situatën në Siri dhe një marrëveshje paqeje në Gaza. Më herët të shtunën, Rubio shkroi në llogarinë e tij personale në mediat sociale se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e guximshëm të Iranit.
Që kur Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të pushtonte Venezuelën më 3 janar dhe të kapte udhëheqësin e vendit, Nicolas Maduro, dhe gruan e tij, Celia Flores, administrata amerikane ka theksuar vazhdimisht se presidenti është i përgatitur të ndërmarrë veprime të guximshme dhe të zbatojë kërcënimet e tij në fronte të tjera.
Të premten, Departamenti i Shtetit postoi një video të bastisjes në Venezuelë në një llogari zyrtare në mediat sociale, duke e shoqëruar atë me frazën: “Mos luani lojëra me Presidentin Trump. Kur ai thotë se do të bëjë diçka, e mendon me bindje”.
Zyrtarë të lartë amerikanë thanë se disa nga opsionet që iu paraqitën Trumpit për Iranin ishin të lidhura drejtpërdrejt me elementë të shërbimeve të sigurisë së vendit, të cilat kanë përdorur dhunë për të shtypur protestat në rritje.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksuan se duhet të tregohet kujdes për të siguruar që çdo veprim ushtarak të mos kthehet në një efekt të kundërt – duke bërë që publiku iranian të kalojë në krah të qeverisë – ose duke provokuar hakmarrje që mund të kërcënojë personelin ushtarak dhe diplomatik amerikan në rajon.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se komandantët në rajon do të donin më shumë kohë para çdo sulmi të mundshëm në mënyrë që të forconin pozicionet ushtarake amerikane dhe të përgatitnin mbrojtjet kundër hakmarrjes së mundshme iraniane.
Zyrtarët amerikanë theksuan se çdo veprim ushtarak do të duhej të balanconte zbatimin e premtimit të Trump për të ndëshkuar qeverinë në Teheran, nëse ajo shtyp protestuesit dhe shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.
Nga ana e tij, Teherani nuk po rri duarkryq duke dëgjuar kërcënimet amerikane, por edhe duke marrë përsipër sfidën. Irani ka kërcënuar se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nëse SHBA do të sulmojnë të parat, tha kryetari i Parlamentit iranian, pas raportimeve nga zyrtarë amerikanë se administrata Trump po shqyrton opsionet paraprake për sulme kundër objektivave ushtarake iraniane.
Mohammad-Bagher Ghalibaf kërcënoi gjithashtu se Irani do të godiste korridoret e transportit detar në Lindjen e Mesme, si dhe Izraelin. Shtetet e Bashkuara mbajnë baza ajrore dhe detare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Katar. Irani kishte goditur bazën ajrore Al Udeid në Katar qershorin e kaluar, pasi SHBA-të hodhën bomba të rënda në tre objekte bërthamore iraniane.
Ghalibaf la gjithashtu të hapur mundësinë e një sulmi parandalues, duke ndjekur zyrtarë të tjerë të lartë që e kanë përmendur këtë skenar ditët e fundit. Si kryetar i parlamentit, ai është zyrtari i tretë i rangut të Iranit, pas udhëheqësit suprem, i cili ka fjalën e fundit për politikën e brendshme dhe të jashtme dhe presidentit të vendit. Ai është gjithashtu një ish-komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe vazhdon të ketë mbështetjen e tyre.
Nga ana tjetër, pas ditësh heshtjeje, Presidenti iranian Masoud Pezheskian, duke folur sot për një media pranë regjimit, pretendoi se “terroristët” me lidhje me fuqitë e huaja po vrasin civilë, po djegin xhami dhe po sulmojnë pronën publike. Ai tha se armiqtë e Iranit po kërkonin të mbjellin kaos dhe trazira në vend.
Megjithatë, ai bëri një ton më pajtues, duke deklaruar se establishmenti iranian ishte gati të dëgjonte zërin e qytetarëve. Ai shtoi se qeveria e tij ishte e vendosur të zgjidhte problemet ekonomike të popullit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të distancoheshin nga “shqetësuesit dhe terroristët”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






