Transmetuar më 11-01-2026, 13:51

Durrës | Operacioni “Koordinimi”: Kapen dy persona në kërkim për mashtrim, shpërdorim detyre dhe thyerje të masës së sigurisë

Taulant Bejko dhe Artmirnejdi Kasaj

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Koordinimi”, i zhvilluar për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.

Oficerët e policisë Durrës, në bashkëpunim me homologët e tyre në Shkodër, bënë të mundur kapjen e juristit Taulant Bejko 39 vjeç, banues në Shkodër.

Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, me vendim të datës 31.07.2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë e mundur edhe kapja e Artmirnejdi Kasaj 31 vjeç, banues në Durrës.

I riu Kasaj ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprën penale “Mashtrim”.

Të dy personat e kapur janë vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit