Transmetuar më 11-01-2026, 12:29

Policia e Korçës ka finalizuar një operacion hetimor që çoi në zbardhjen dhe dokumentimin e pesë rasteve të vjedhjes së banesave në qytet, duke vënë në pranga autorin e dyshuar, një person i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më herët, pas një hetimi të thelluar, identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 38-vjeçari është autori i vjedhjes së një banese në lagjen nr. 3 të qytetit, ngjarje e ndodhur më 10 janar 2026, ku janë marrë sende të ndryshme në pronësi të shtetasit Gj. M., rezident në Greqi.

Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se i arrestuari dyshohet të ketë kryer edhe katër vjedhje të tjera banesash në Korçë, të ndodhura më 28 shtator 2024, 20 mars 2025, 1 janar 2026 dhe 6 janar 2026. Gjatë këtyre rasteve, ai dyshohet se ka marrë bizhuteri, shuma parash, orendi dhe sende të tjera me vlerë.

Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve, si dhe për identifikimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë 38-vjeçari, si edhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit