

Tiranë, 11 janar 2026
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka përgatitur tashmë planin për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet që prekën vendin ditët e fundit, duke theksuar se niveli i dëmeve është shumëfish më i ulët krahasuar me përmbytjet e një dekade më parë.
Duke folur në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se kjo situatë është rezultat i investimeve të konsiderueshme të realizuara ndër vite në infrastrukturë dhe në masat parandaluese kundër fatkeqësive natyrore.
“‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’ është motoja ime dhe e jona sa herë që përballemi me fatkeqësi. Të goditurit e kësaj fatkeqësie dua t’u them se qëndrojmë krah tyre për banesat dhe gjënë e gjallë, për rregullimin e çdo dëmi me të cilin përballemi,” deklaroi kryeministri.
Sipas tij, plani i dëmshpërblimeve është i gatshëm dhe përfshin skenarë të ndryshëm, ndërsa shpërndarja e ndihmave financiare pritet të nisë menjëherë pas përfundimit të verifikimeve në terren nga strukturat përkatëse.
Rama theksoi se qeveria do të garantojë mbështetje për familjet e prekura, me synimin për të rikthyer normalitetin sa më shpejt të jetë e mundur në zonat e dëmtuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






