

Operacion policor në Elbasan, goditet një rast prostitucioni me shtetase të huaja
Policia e Elbasanit ka finalizuar pas disa javësh hetime të thelluara operacionin policor të koduar “Transit”, duke goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i veprimeve hetimore me metoda proaktive, u arrestuan në flagrancë tre shtetase kolumbiane, të cilat ushtronin prostitucion në dy apartamente në qytetin e Elbasanit. Sipas Policisë, shtetaset e huaja kontaktonin klientët përmes faqeve në internet.
Të arrestuarat janë:
D. P., 20 vjeçe
D. M., 18 vjeçe
J. D., 34 vjeçe
Të tria akuzohen për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, në gjendje të lirë u procedua penalisht M. J., 34 vjeçe, pronare e njërit prej apartamenteve, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrolleve në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm, Policia sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe celularë dhe dokumente identifikimi, të cilat do t’i shërbejnë hetimit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






