Transmetuar më 11-01-2026, 09:18

Klos, 11 janar 2026 Vijojnë prej disa orësh kërkimet intensive për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, banor i Bashkisë Klos, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e një përroi në fshatin Darsë, pas një aksidenti të ndodhur një ditë më parë.

Sipas informacioneve zyrtare, në operacionin e kërkimit janë angazhuar forcat e policisë vendore, të mbështetura nga forcat speciale “Shqiponja” dhe efektivë të ushtrisë, të cilët po kontrollojnë në mënyrë sistematike zonën dhe shtrirjen e rrjedhës ujore.

Gjatë ditës së djeshme, kërkimet janë përqendruar përgjatë lumit Mat dhe kanë vijuar pa ndërprerje deri në orët e mbrëmjes, kur u pezulluan për shkak të errësirës. Operacioni ka rifilluar sërish në orët e para të mëngjesit të sotëm, me shpresën për të gjetur gjurmë të reja që mund të çojnë në lokalizimin e të riut.

Në terren janë përfshirë gjithashtu familjarë të 30-vjeçarit dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë autoritetet në kërkime, pavarësisht kushteve të vështira të terrenit dhe prurjeve të larta të ujit.

Autoritetet bëjnë me dije se operacioni do të vijojë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe gjetjen e Jurgen Karajt, ndërsa apelohen qytetarët të shmangin lëvizjet pranë përrojeve dhe lumenjve për shkak të rrezikut të shtuar nga reshjet dhe prurjet intensive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit