

Tiranë, 11 janar 2026 Edhe pse reshjet mesatare vjetore në Shqipëri kanë shënuar një rënie të lehtë që nga vitet 1950, përmbytjet janë shndërruar në rrezikun klimatik më të shpeshtë dhe më të kushtueshëm gjatë tre dekadave të fundit. Të dhënat shkencore dhe vlerësimet e ekspertëve tregojnë se shkaku kryesor i dëmeve nuk lidhet vetëm me ndryshimet klimatike, por me keqmenaxhimin kronik të infrastrukturës së kullimit, urbanizimin e pakontrolluar dhe mungesën e planifikimit afatgjatë.
Sipas dokumenteve të Ministrisë së Mjedisit, reshjet vjetore kanë rënë me rreth 2–5% nga mesi i shekullit të kaluar deri në fillim të kësaj dekade. Megjithatë, që nga vitet 1990 Shqipëria ka përjetuar dhjetëra episode të mëdha përmbytjesh, me një ose dy ngjarje serioze pothuajse çdo vit. Dëmet e akumuluara nga këto përmbytje vlerësohen në rreth 2.3 miliardë dollarë.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike kanë rritur intensitetin e reshjeve në njësi kohe, duke e përkeqësuar rrezikun, por thelbi i problemit qëndron te mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve, kolektorëve dhe hidrovoreve, si dhe te investimet e fragmentuara që nuk adresojnë problemin në nivel baseni ujëmbledhës.
Përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të ndjeshme në ekonomitë familjare dhe në bujqësi, duke prekur zona urbane dhe periferike në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas inxhinierit hidroteknik Alket Kumaraku, profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës, reduktimi i rrezikut kërkon një angazhim të vazhdueshëm, që nis nga planifikimi urban dhe përfundon te mirëmbajtja sistematike e rrjeteve kulluese dhe menaxhimi i rrjedhave të lumenjve.
Një ish-anëtar i Komitetit të Digave, i cili foli në kushtet e anonimatit, vlerëson se mbi 30% e dëmeve nga përmbytjet mund të minimizoheshin vetëm me mirëmbajtje rutinë të veprave ekzistuese. Sipas tij, projekte strategjike si ndërtimi i hidrocentraleve të Skavicës dhe Bushatit, si dhe thellimi i lumit Buna, do të kishin ulur ndjeshëm rrezikun në zonat e Shkodrës dhe Lezhës, duke vepruar si “tamponë” hidrologjikë në periudhat e reshjeve intensive.
Në zonat urbane, veçanërisht në Durrës, situata paraqitet edhe më problematike. Inxhinieri Ardian Zhamo thekson se shumë nga përmbytjet e fundit janë rezultat i gabimeve njerëzore: kanale të bllokuara, kolektorë të dëmtuar, tombino me kapacitet të reduktuar dhe ndërhyrje të paligjshme që kanë shkatërruar rrjedhën natyrore të ujit. “Këtu nuk është natyra fajtore, por mënyra si është trajtuar infrastruktura,” shprehet ai.
Ekspertët nënvizojnë se Shqipëria trashëgon studime hidrologjike cilësore që nga periudha e komunizmit, por problemi qëndron te moszbatimi i tyre. Ndërtimet pa kriter, zaptimi i kanaleve kulluese dhe mungesa e koordinimit mes pushtetit qendror dhe vendor e kanë ulur ndjeshëm kapacitetin mbrojtës të territorit.
Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036 parashikon një qasje më të integruar, duke theksuar se përmbytjet nuk mund të menaxhohen vetëm me argjinatura apo punime në lumenj, por kërkojnë planifikim urban, masa të bazuara te natyra dhe sisteme paralajmërimi të hershëm. Sipas dokumentit, kostoja totale e masave të nevojshme deri në vitin 2042 vlerësohet rreth 9.8 miliardë dollarë, ndërsa financimi aktual mbulon vetëm rreth 7% të nevojave.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se investimet në ujitje dhe kullim gjatë viteve 2023–2025 kanë qenë relativisht të ulëta dhe të shpërndara në shumë projekte të vogla, të pamjaftueshme për të ulur rrezikun në basene të mëdha si Buna, Drini, Vjosa apo Shkumbini, ku dëmet potenciale maten në qindra milionë euro.
Ekspertët paralajmërojnë se, pa ndërhyrje të koordinuara, mirëmbajtje sistematike dhe investime strategjike, përmbytjet do të vazhdojnë të përsëriten, duke prodhuar dëme gjithnjë e më të rënda për ekonominë dhe duke e bërë rrezikun klimatik një barrë të përhershme për zhvillimin e vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






