

Angli, 10 janar 2026 Manchester City nuk tregoi asnjë mëshirë ndaj Exeterit, duke e mundur me shifrat e thella 10-1 në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup, në një mbrëmje historike për skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.
“Qytetarët” u shfaqën si një përbindësh i vërtetë në fushë, duke u bërë skuadra e parë e madhe angleze që shënon të paktën 10 gola në një ndeshje zyrtare në Angli pas gati katër dekadash. Një rekord i tillë nuk ishte regjistruar që nga fitorja 10-0 e Liverpoolit ndaj Fulhamit në League Cup në vitin 1986, ndërsa në FA Cup një rezultat i tillë mungonte që prej triumfit 13-2 të Tottenhamit kundër Crewe në shkurt të vitit 1960.
Manchester City e mbylli pjesën e parë me avantazh të qartë 4-0, falë golave të Alleyne dhe Rodrit, si edhe dy autogolave të Doyle-Hayes dhe Fitzwater. Dominimi absolut vijoi edhe në fraksionin e dytë, ku Lewis realizoi dy herë, ndërsa në listën e golashënuesve u bashkuan edhe Semenyo, blerja më e re e “Citizens”, Reijnders, O’Reilly dhe MacAidoo.
Exeter arriti të shënojë vetëm golin e nderit në minutën e 90-të me Birch, por kjo nuk ndryshoi aspak rrjedhën e një ndeshjeje tërësisht të njëanshme.
Me këtë fitore spektakolare 10-1, Manchester City siguroi kualifikimin në raundin tjetër të Kupës së Anglisë, duke dërguar një sinjal të fortë për rivalët në garën për trofeun.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






