Transmetuar më 10-01-2026, 20:33

Tiranë, 10 janar 2026 Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025–2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vijojnë garën për trofeun dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.

Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet që kaluan më tej pas ndeshjeve të zhvilluara gjatë ditës së sotme.

Në takimet e orës 13:00, Dinamo City dhe Partizani e siguruan pa vështirësi kualifikimin, duke fituar të dyja me rezultatin 3-0. Dinamo City mposhti Besën, ndërsa Partizani kaloi Burrelin. Ndërkohë, përballjet Tirana–Skënderbeu dhe Bylis–Laçi u vendosën vetëm pas kohës shtesë, pasi 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim. Tirana fitoi 2-1, ndërsa Bylisi triumfoi 3-2.

Në ndeshjet e orës 16:00, Egnatia mundi Apoloninë 1-0, po me të njëjtin rezultat Vllaznia fitoi ndaj Pogradecit, ndërsa Teuta mposhti Vorën 2-0. Sfida mes AF Elbasanit dhe Flamurtarit u vendos në shtesë, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt, me verdheblutë që shënuan golin vendimtar dhe fituan 2-1.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, është bërë edhe ndarja e vazove për shortin e fazës çerekfinale. Në Vazon 1 janë pozicionuar Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City, ndërsa në Vazon 2 bëjnë pjesë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të Vazos 2. Në ditët në vijim pritet të zyrtarizohet data dhe ora e hedhjes së shortit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit