

SERBI- Serbia, e cila prej 14 vjetësh në dhomën e pritjes së BE sa i përket integrimit po parakalohet aktualisht nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe Shqipëria në rrugën drejt Brukselit. Pritja e pafund me sa duket ka shtuar zhgënjimin e serbëve me Bashkimin Europian. Sondazhi i publikuar ditët e fundit në Beograd, tregon, se vetëm rreth një e treta e serbëve ende duan të bashkohen me BE-në.
Sondazhi i kryer nga organizata me seli në Beograd, Qendra për Politikë Bashkëkohore (CSP), arrin në përfundimin, se vetëm 36 përqind e popullsisë është në favor të anëtarësimit në BE. Madje mbështetja për BE po bie me shpejtësi. Rreth 15 vjet më parë, 70 përqind e serbëve ishin në favor të anëtarësimit, shifra pësoi rënie në vitet që pasuan, por i kalonte 50 përqind. Sipas CSP vërehet gjithashtu përqindje e ndjeshme në rritje e të anketuarve që e refuzojnë hapur anëtarësimin. Me 33 përqind, tani ata janë pothuajse aq sa ata që janë në favor. Kush është përgjegjës për krizën e besimit?
Rezultatet e sondazhit kanë nxitur debate në Serbi, se kush është përgjegjës për krizën e besimit ndaj BE: një qeveri autoritare që nxit rregullisht ndjenja anti-perëndimore tek mediat e afërta me të? Apo shtetet anëtare të BE-së që e kanë bllokuar procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor për vite me radhë? Ekspertja serbe për çështjet europiane nga Beogradi, Bojana Selakovic, është e bindur, se të dyja palët kanë përgjegjësitë e tyre.
"Qeveria e Aleksandar Vuçiçit nuk e ka braktisur zyrtarisht anëtarësimin në BE, por në realitet, anëtarësimi nuk ka qenë kurrë qëllimi i saj”, thotë Selakovic, koordinatore e platformës qytetare serbe "Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian”, cituar nga agjencia gjermane e lajmeve, kna. Selakovic shton, se edhe për BE-në, kjo pritje e pacaktuar dukej një status quo e pranueshme gjatë viteve.
Marrëdhënia e Serbisë me Brukselin ishte si një "martesë të hapur”, krahason Selakovic, në këtë kohë Vuçiçi krijoi lidhje të ngushta me Kinën dhe Rusinë. Ekspertja kritikon Brukselin, që shpesh i mbyllte sytë ndaj manipulimit të zgjedhjeve ose masave kundër shtypit dhe opozitës. Në këmbim, Beogradi siguronte një qetësi të tensionuar në rajon. Kritikët e BE ka kohë që qëndrimin e Brukselit e quajnë mbështetje për "stabilokracinë."
Popullaritet më i madh tek rinia
Ende BE-ja është më e popullarizuar në mesin e të rinjve. Për eksperten Selakovic, "ata janë e vetmja gjeneratë që e percepton BE-në si një instrument natyror për mundësi jetësore: lëvizshmëri, kufij të hapur, arsim, qasje në tregun e punës dhe siguri ligjore."
Prej më shumë se një viti, Serbia ka qenë në një gjendje të jashtëzakonshme politike. Pas katastrofës në stacionin e trenit të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, në të cilën vdiqën 16 persona,u zhvilluan çdo javë protesta. Vuçiç ka njoftuar zgjedhje të parakohshme parlamentare për këtë vit, një nga shumë kërkesat e studentëve demonstrues.
Ishin protestat që e rikthyen më fort vëmendjen e BE nga qeveria e Serbisë për shkak të akuzave për dhunë kundër demonstruesve dhe gazetarëve. Diplomatët e Brukselit bëjnë presion për reforma, si në lidhje me sundimin e ligjit edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por sipas Selakovic kjo kthesë nga Brukseli vjen mjaft vonë: "Dëmi është bërë tashmë. Axhenda evropiane ka humbur besueshmërinë në Serbi, ndërsa qeveria ka qenë në gjendje të konsolidojë pushtetin e saj pa ndonjë kufizim real", citon kna./DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






