Transmetuar më 10-01-2026, 18:35

Korçë, 10 janar 2026 Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar tonet ndaj drejtimit aktual të PD-së gjatë një takimi me demokratët në Korçë, duke deklaruar se ai personalisht ka paguar kosto të rënda në përballjen me qeverinë e Edi Ramës, ndryshe nga figura të tjera politike që, sipas tij, kanë përfituar nga pushteti.

Salianji theksoi se përballja e tij me qeverinë e ka çuar deri në burg, ndërsa të tjerë kanë marrë leje ndërtimi, tendera publikë dhe kanë ndërtuar pasuri. “Kam mbajtur kosto nga kjo qeveri. Kur unë kam bërë burg, shumë të tjerë kanë marrë leje, kanë marrë tendera dhe kanë bërë para,” u shpreh ai.

Ai e cilësoi të padrejtë që ai dhe demokratët që, sipas tij, e kanë mundur Edi Ramën në përballje direkte politike, të konsiderohen problem për Partinë Demokratike, ndërkohë që drejtues të tjerë janë mundur vazhdimisht në zgjedhje që prej vitit 2013. “Si mund të thuhet që qenka problem për PD unë dhe ju që e kemi mundur Edi Ramën dhe jo këta që i dërrmon Edi Rama në çdo palë zgjedhje prej vitit 2013?”, deklaroi Salianji.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se Partia Demokratike ka ende forcë të brendshme për të sjellë ndryshimin, për të bashkuar demokratët e pakënaqur dhe për të ecur drejt hapjes së partisë. Sipas tij, reagimi dhe angazhimi i bazës janë vendimtare për rikthimin e besimit dhe përballjen politike me qeverinë.

“Prania juaj sot më emocionon sepse tregon se ka ende shqiptarë që nuk janë dorëzuar, se ka demokratë që nuk dorëzohen dhe nuk e pranojnë këtë poshtërim,” përfundoi Salianji.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit