Transmetuar më 10-01-2026, 18:23

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Sali Berishës dhe Flamur Nokës gjatë një takimi me demokratët në Korçë, duke kërkuar hapje të partisë dhe mobilizim të strukturave për përballjen me qeverinë.

Në fjalën e tij, Salianji theksoi se Partia Demokratike ka ende forcë dhe mbështetje të gjerë në terren, por sipas tij problemi qëndron te mungesa e reagimit dhe organizimit ndër vite. Ai u shpreh se demokratët nuk janë mësuar të mbajnë kokën ulur dhe se frika nuk është pjesë e ADN-së së kësaj force politike.

“Ne duhet t’i gjejmë gjithsecilit pozicionin në PD. Nëse qajnë se nuk ka njerëz në salla, hapni krahun miq, sepse ja ku janë demokratët dhe ta marrin përpara qeverinë. Demokratët janë mijëra në të gjithë Shqipërinë, por për 13 vite kemi humbur dhe nuk kemi reaguar sa duhet,” deklaroi Salianji.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka rreth 500 mijë mbështetës, ndërsa sipas tij ky numër është rritur edhe më shumë, pavarësisht pretendimeve për frikë apo presion nga qeveria. “Sallat mbushen plot. Nuk ka interes më të madh për mua sesa rrëzimi i Edi Ramës,” u shpreh deputeti demokrat.

Salianji hodhi poshtë idenë se figura si ai përbëjnë problem për Partinë Demokratike, duke theksuar se janë pikërisht ata që e kanë mundur Ramën në të kaluarën. Ai kritikoi drejtuesit që, sipas tij, humbasin vazhdimisht zgjedhjet përballë kryeministrit aktual.

Në fund, deputeti demokrat nënvizoi se PD duhet të ndërtojë një retorikë të re politike, më afër qytetarëve dhe problemeve të tyre, për të rikthyer besimin dhe frymëzimin. “Askush nuk frymëzohet nga një politikë që nuk i shërben njerëzve. Prania juaj më emocionon, sepse tregon se ka ende demokratë që nuk dorëzohen dhe nuk e pranojnë këtë degradim,” përfundoi Salianji.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit