

Banorët e një lagjeje në zonën e Spitallës kanë dalë sot në protestë, duke denoncuar problematika serioze në projektimin dhe zbatimin e një rruge lokale, e cila sipas tyre është ndërtuar pa standarde dhe pa një projekt të qartë.
Sipas banorëve, rruga është ndërtuar nga një firmë private, ndërsa trotuaret janë vetëm rreth 30 centimetra të gjera dhe shtyllat e energjisë elektrike janë vendosur në mënyrë të rrezikshme në mes të tyre. Situata rëndohet më tej nga kanalizimet e bllokuara, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të përsëritura, duke rrezikuar jetën e banorëve, veçanërisht të fëmijëve.
Në këtë zonë jetojnë rreth 300 familje, ndërsa lëvizja e automjeteve dhe siguria e këmbësorëve mbeten një shqetësim i vazhdueshëm. Banorët kujtojnë se në të njëjtën rrugë, më herët, kanë humbur jetën dy burra dhe një fëmijë, çka e bën situatën edhe më alarmante.
Protestës iu bashkuan edhe deputetë të opozitës. Deputeti Igli Cara deklaroi se fondet publike dhe taksat e qytetarëve të Durrësit po shpërdorohen për projekte pa standarde, ndërsa Iliriana Kucana, ish-kandidate për deputete, theksoi se cilësia e trotuareve është minimale dhe paralajmëroi se çështja do të referohet në SPAK, për të kërkuar përgjegjësi ligjore nga autorët e projektit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problemit dhe paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






