

Tiranë- Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu lidhur me situatën e përmbytjeve dhe funksionimin e hidrovorëve, duke akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor për korrupsion dhe keqmenaxhim.
Meta shprehet se mbledhja e Komitetit të Emergjencës Civile u bë me vonesë, disa ditë pas përmbytjeve, ndërsa fajin për situatën e krijuar ia atribuon mungesës së masave parandaluese dhe korrupsionit në administrimin e infrastrukturës hidraulike. Ai kundërshton shpjegimet zyrtare që përmbytjet u shkaktuan nga kushtet atmosferike apo nga ndotja me mbetje plastike, duke theksuar se përgjegjësia, sipas tij, qëndron tek institucionet që nuk mirëmbajnë kanalet dhe kanë lejuar ndërtime mbi kolektorë.
Duke u ndalur veçanërisht tek përmbytja në Gjirokastër, Meta e cilëson atë si pasojë të dështimit të qeverisë për të ndërmarrë masa parandaluese, pavarësisht se sasia e reshjeve ishte nën mesataren mujore. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka mbrojtur projekte të korruptuara, përfshirë hidrovorët, të cilët i krahason me inceneratorët, duke i cilësuar si investime të paefektshme që, sipas tij, shërbejnë vetëm për justifikimin e shpenzimit të fondeve publike.
Meta thekson se me fondet e shpenzuara, rreth 19 milionë euro, mund të ishin ndërtuar disa hidrovorë funksionalë, ndërsa përfundon reagimin e tij me kritika të forta ndaj qeverisë për mungesë përgjegjshmërie dhe transparence.
REAGIMI
Kreu i Organizatës Kriminale, i cili u kujtua të mblidhte Komitetin e Emergjencës Civile vetëm 4 ditë pas përmbytjeve që shkaktoi korrupsioni skizofrenik i Qeverisë dhe bashkive të tij, mori në mbrojtje korrupsionin (hidrovorët) e tij. Në kundërshtim me banorët e përmbytur dhe specialistët e hidrologjisë, ai me pacipësinë që e dallon, ia vuri fajin “qametit” por edhe popullit që flak qese plastike. Ndërsa administrata e tij e dyfishuar nuk ka asnjë faj pse nuk pastron kanalet në verë apo jep leje ndërtimi mbi kolektorë.
Veçanërisht përmbytja e Gjirokastrës është një “arritje” historike që vetëm Edi Rama mund ta realizonte, ndërkohë që sasia e reshjeve ishte nën mesataren mujore. Sepse Edi Rama, në vend që të marrë masa në verë për të parandaluar përmbytjet në dimër, apo të përgatitet në dimër për të parandaluar zjarret në verë, ka vendosur të mbrojë pa i’u dridhur qerpiku korrupsionin e tij edhe me hidrovorët.
Sepse për të, hidrovorët punojnë po aq mirë sa inceneratorët që nuk ekzistojnë, me të vetmin ndryshim që hidrovorët ekzistojnë për të na treguar që Edi Rama nuk bën vepra publike në shërbim të qytetarëve, por vetëm për të justifikuar grabitjen e fondeve publike. Me 19 milionë euro mund të ishin bërë 5 hidrovorë efektive dhe funksionalë. Megjithatë, rëndësi ka që hidrovorët “punojnë” si inceneratorët që nuk ekzistojnë. Këtu turpi nuk ka më turp nga turpi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






