Transmetuar më 10-01-2026, 13:52

DURRËS, 10 janar 2026 – Qarku i Durrësit mbetet një nga zonat më të prekura nga reshjet e dendura të ditëve të fundit. Sipas informacionit zyrtar të autoriteteve vendore, deri më tani janë evakuuar gjithsej 848 banorë, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë punën për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Bashkia Durrës

Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, pa shkaktuar probleme në akset rrugore apo në rrjedhat e lumenjve. Strukturat e Bashkisë së Durrësit dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren, në koordinim të vazhdueshëm me Shtabin e Emergjencave Civile.

Situata në lumenjtë Erzen dhe Ishëm paraqitet në përmirësim, pasi është konstatuar rënie e ndjeshme e nivelit të ujit.

Banorë të evakuuar: 848

Akte konstatimi: 1 453

Banesa të verifikuara: 4 067

Specialistë në terren: 508, të angazhuar në vlerësimin e dëmeve edhe në ditët në vijim

Nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore janë siguruar 1 100 pako ushqimore, të shpërndara si më poshtë:

350 pako pranë ambienteve të Kavalishencës dhe Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, me 3 vakte në ditë për 5 ditë për qytetarët e strehuar;

400 pako në zonën e Durrësit të Ri (ish-Kënetë) dhe në Plazh;

350 pako ushqimore në njësinë administrative Sukth.

Në zonat e Sukthit dhe Katundit të Ri, rreth 2 800 hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë.

Bashkia Krujë

Në territorin e Bashkisë Krujë, veçanërisht në zonën e Fushë-Krujës, gjatë mbrëmjes janë regjistruar reshje shiu me intensitet deri mesatar, pa raportime për problematika të reja. Akset rrugore kryesore janë funksionale dhe pa prezencë uji.

Nga inspektimet e kryera, lumenjtë Gjole dhe Zezë paraqesin rënie të nivelit të ujit dhe situata po shkon drejt normalizimit. Grupet e punës do të vijojnë gjatë ditës së sotme inspektimet për dëmet në banesa. Ndërkohë, është përfunduar bllokimi i çarjes së argjinaturës së lumit Droje.

Bashkia Shijak

Edhe në Bashkinë Shijak, strukturat vendore janë në terren dhe po ndjekin situatën në mënyrë të pandërprerë. Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të ulët dhe mesatar, pa raportime për probleme të reja.

Nga sektori i MZSH-së dhe shërbimet e Bashkisë është bërë i mundur pastrimi i disa banesave të prekura nga uji, ndërsa monitorimi vijon.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit