

TIRANË, 10 janar 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe për përqendrim të pushtetit.
Duke iu referuar çështjes së ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Berisha deklaroi se pas saj fshihet drejtpërdrejt kryeministri Rama, të cilin e cilësoi si autorin real të vendimmarrjeve të kontestuara.
Sipas Berishës, Rama ka vepruar “de facto” si autor i një grushti shteti institucional, duke marrë në kontroll kompetencat e Kuvendit dhe duke përdorur institucionet për të mbrojtur veten.
“Belinda Balluku nuk është gjë tjetër veçse shërbëtore e verbër e tij. Autori i vërtetë i skandaleve është Edi Rama,” deklaroi Berisha.
Ai u ndal edhe te projektet infrastrukturore, duke përmendur tunelin e Llogarasë, për të cilin tha se kostoja përfundimtare ka qenë dhjetëra miliona euro më e lartë se ofertat fillestare, si dhe ndarjen e Unazës së Madhe në Tiranë në disa lote, që sipas tij kanë çuar në rritje të pajustifikuar të shpenzimeve.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorim antikushtetues të institucioneve dhe për përpjekje për të justifikuar vendimmarrjet përpara komunitetit ndërkombëtar.
“Vetëm një autokrat mund të imagjinojë dhe të lejojë raste të tilla,” u shpreh ai, duke e cilësuar çështjen Balluku si një simbol të mënyrës së qeverisjes aktuale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






