

DURRËS, 10 janar 2026 – Përmbytjet e ditëve të fundit në zonën e Plazhit në Durrës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznese të vogla, mes tyre edhe një rrobaqepësi familjare, e cila është shkatërruar pothuajse plotësisht nga uji.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, përmbytjet kanë dëmtuar makineritë e qepjes, pajisjet e punës dhe materialet e tjera, duke e bërë të pamundur vazhdimin e aktivitetit. Pronarja e biznesit, nënë e tre fëmijëve, shprehet se kjo rrobaqepësi ishte e vetmja burim të ardhurash për familjen e saj.
Ajo deklaron se inspektorët e Bashkisë së Durrësit i kanë komunikuar se në procesin e vlerësimit të dëmeve do të përfshihen vetëm orenditë shtëpiake dhe pajisjet elektroshtëpiake, ndërsa pajisjet e biznesit nuk do të kompensohen.
“Jam një nënë e vetme dhe për tre vite kam mbajtur fëmijët vetëm me këto makina qepëse. Nuk kam pasur asnjë ndihmë nga shteti apo nga babai i fëmijëve. Qep dhe punoj nëpër shtëpi për të siguruar të ardhurat. Sot nuk kam më asgjë,” shprehet ajo.
Situata ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit dhe mbështetjes së bizneseve të vogla familjare të prekura nga fatkeqësitë natyrore.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






