

Astrit Hysenaj, 54 vjeç, është viktima e parë e përmbytjeve që goditën Durrësin ditët e fundit. Ai u gjet i pajetë në një kanal kullues pranë ish-repartit ushtarak në zonën e Plepave, ndërsa familjarët e tij mohojnë pretendimet e Bashkisë se 54-vjeçari nuk kishte shkuar në punë.
Sipas të afërmve, Hysenaj ishte nisur si çdo mëngjes në orën 05:00 për të filluar detyrën e tij në pastrimin e kanaleve. Familja kishte tentuar ta ndalonte për shkak të motit të keq, por ai kishte insistuar të kryente detyrën.
Klediana Bërsheni, mbesa e viktimës, shpjegon se deri në orën 08:25, Astrit Hysenaj ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë duke punuar pranë mbikalimit të parë të këmbësorëve në aksin Plepa–Durrës. Pas kësaj kohe, ai nuk u pa më dhe u gjet më vonë i pajetë në një kanal të vogël, ku rrjedha e ujit e nxorri.
Djali i xhaxhait të tij, Osman Hysenaj, shton se kanë pamje filmike të momenteve të fundit, që tregojnë Astritin duke punuar deri në çastin kur e mori rrjedha e ujit. Familjarët theksojnë se viktima humbi jetën në krye të detyrës dhe kërkojnë që pamjet e mëtejshme filmike të vendosen në dispozicion për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Familjarët kërkojnë që figura e tij të mos përballet dhe të njihet kontributi i tij në shërbim publik, ndërsa Bashkia e Durrësit dhe institucionet e tjera vijojnë të hetojnë rrethanat e aksidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






