

10 Janar 2026
Kosova po përballet me vështirësi të shumta në rrugë për shkak të reshjeve të shumta të shiut. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se disa segmente rrugore janë të rrezikuara dhe disa u bllokuan përkohësisht për qarkullim.
Një segment i rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë, që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, përfshirë zonat nga rrethi i “Prishtina Mall” drejt Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” drejt Ferizajt, u mbyll përkohësisht për automjete, si masë sigurie për parandalimin e rreziqeve në trafik, njoftoi Policia e Kosovës. Segmenti pritet të hapet gjatë ditës.
Probleme të tjera u regjistruan në:
Nënkalimin në Mazgit, ku grumbullimi i ujit shkaktoi bllokim të kanalit atmosferik;
Autostradën “Ibrahim Rugova”, ku u regjistruan rrëshqitje dheu;
Rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë në Sllatinë, ku u grumbullua ujë në rrugë;
Rrugën Zhur–Dragash, ku lëvizja e trupit të rrugës bëri të nevojshme vendosjen e sinjalistikës dhe qarkullimi aktualisht zhvillohet në një shirit.
Ministria e Infrastrukturës apeloi tek qytetarët që të shmangin këto rrugë deri në sanimin e plotë të problemeve dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes.
Mëngjesin e 10 janarit, Instituti Meteorologjik i Kosovës parashikoi reshje shiu, ndërsa më vonë priten edhe reshje bore për shkak të uljes së temperaturave.
Ditëve të fundit, reshjet kanë shkaktuar vërshime që dëmtojnë pronat private dhe infrastrukturën rrugore. Po ashtu, disa zona përballen me probleme në energji elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm. Për pasojë, Ministria e Arsimit ka vendosur të shtyjë rinisjen e vitit shkollor pas pushimit dimëror për datën 12 janar.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






