Transmetuar më 10-01-2026, 11:23

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Brands 2”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm të falsifikimit të veshjeve dhe këpucëve me logo të markave të njohura ndërkombëtare.

Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u zbulua në Kamëz një magazinë ku stampoheshin mallra të kontrabanduara me logo false.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk Ozkan Sulun, 46 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë tre punonjëse të magazinës.

Nga kontrolli i ushtruar, Policia sekuestroi:

sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh të dyshuara si kontrabandë,

makineri lazeri dhe pajisje për printim e stampim,

stampa dhe logo të markave të njohura ndërkombëtare,

1 aparat celular dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Sipas Policisë, mallrat dyshohet se kishin shmangur detyrimet doganore dhe përpunoheshin në magazinë për t’u hedhur më pas në treg si produkte origjinale.

Po punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Hetimi vijon për veprat penale: “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra”, “Tregtimi dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave dhe stampave”. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit