Transmetuar më 10-01-2026, 10:06

Klos – Policia ka zbardhur dinamikën e aksidentit të rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Klos, në vendin e quajtur “Ura e Halilit”, në fshatin Dars, ku një automjet tip Audi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përrua.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, është arrestuar drejtuesi i mjetit, shtetasi A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet të Klosit. Ai dyshohet se, pas aksidentit, është larguar nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej në automjet.

Nga veprimet hetimore rezulton se në mjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, po nga fshati Fullqet, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit dhe rezulton ende i humbur.

Ngjarja është raportuar rreth orës 01:30, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit. Gjatë veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i drejtuesit të mjetit.

Sipas Policisë, 24-vjeçari iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet intensive përgjatë përroit të fshatit Dars për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit