Transmetuar më 10-01-2026, 09:01

Autoritetet e shtetit të Viktorias në Australi kanë shpallur gjendje katastrofe për shkak të zjarreve masive në vegjetacion të ulët, të cilat po përhapen prej ditësh dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe sipërfaqe të gjera pyjore.

Vala e të nxehtit ekstrem, me temperatura që kanë kaluar 40 gradë Celsius në shtetin e Viktorias, kryeqyteti i të cilit është Melburni, si dhe erërat e ngrohta, kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e shpejtë të flakëve.

Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe gjatë të ashtuquajturës “vera e zezë” në fund të vitit 2019 dhe fillim të vitit 2020, në të njëjtat zona. Një nga zjarret më të mëdha ka shkrumbuar rreth 1.500.000 dynymë tokë pranë Longwood-it, rreth 150 kilometra larg Melburnit, zonë e njohur për pyjet e saj të virgjëra.

Gjendja e katastrofës u shpall nga kryeministrja e shtetit të Viktorias, Jacinta Allan, dhe u jep autoriteteve, veçanërisht shërbimeve zjarrfikëse, kompetenca të zgjeruara për të urdhëruar evakuime emergjente.

“Gjithçka përqendrohet në një gjë: mbrojtjen e jetës së banorëve të Viktorias. Ky është një mesazh i qartë – nëse ju thuhet të largoheni, largohuni menjëherë”, deklaroi Allan.

Ajo bëri me dije se tre persona, mes tyre edhe një fëmijë, të cilët ishin raportuar më herët të zhdukur në një nga zonat më të prekura, janë gjetur në gjendje të sigurt.

Sipas Tim Wimbush, përfaqësues i Shërbimit të Menaxhimit të Emergjencave, deri më tani janë shkatërruar gjithsej 130 ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në të gjithë shtetin e Viktorias. Ai shtoi se dhjetë zjarre të mëdha mbeten ende aktive dhe disa prej tyre mund të zgjasin për ditë apo edhe javë.

Zjarret kryesore janë përhapur në zona me dendësi të ulët banimi, ndërsa qindra zjarrfikës nga e gjithë Australia janë mobilizuar për vënien e tyre nën kontroll. Një nga vatrat ka çliruar aq shumë nxehtësi, sa ka shkaktuar edhe formimin e një stuhie lokale, sipas zjarrfikësve.

Ekspertët dhe studiuesit theksojnë se temperatura mesatare në Australi është rritur me rreth 1,51 gradë Celsius që nga viti 1910, një faktor që po kontribuon ndjeshëm në rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të fenomeneve ekstreme klimatike, si në tokë ashtu edhe në det.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit