Transmetuar më 09-01-2026, 20:55

Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke mbrojtur deklaratat e tij lidhur me mënyrën se si ministrat shfaqen në media gjatë situatave emergjente. Fevziu thekson se daljet e ministrave në terren, të shoqëruara vetëm nga kameramanë institucionalë dhe pa praninë e gazetarëve, përbëjnë mungesë transparence dhe llogaridhënieje ndaj publikut. Sipas tij, kjo praktikë është shenjë e varfërisë së ideve, mungesës së karizmës dhe dobësisë së personalitetit politik. Ai pranon gjithashtu përgjegjësinë e mediave që transmetojnë këto kronika pa verifikim, ndërsa kundërshton ironitë e Ramës mbi udhëtimet e tij personale, duke theksuar dallimin mes një zyrtari publik dhe një qytetari të lirë. Fevziu përfundon duke ftuar kryeministrin në një debat të hapur televiziv mbi marrëdhënien mes pushtetit dhe medias.

Postimi i plotë:

Kryeministri i Shqipërisë ishte shqetësuar nga një fragment i emisionit të djeshëm në Opinion, ku ministrat dhe drejtorët e tij sfilonin mes sipërfaqeve të përmbytura, duke bërë muhabet me vete. Po, po, me vete, duke u parë në sy, të ndjekur nga një kameraman i ministrisë që ecte mbrapsht.

Këto pamje, të transmetuara live thuajse kudo, ishin për mua jo vetëm një shëmtim moral, por edhe një lloj papërgjegjshmërie, që ministrave të sotëm u vjen nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar. Por s’do të zgjatem në këtë pikë, sepse meriton një shkrim më vete. Dhe javët e fundit kanë plot histori që mund të tregohen për këtë gjë…

U çudita që, me 1/3 e Shqipërisë nën ujë; me një zjarr që shkrumboi miliona dollarë të tregtarëve të vegjël të Tiranës; me krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj një anëtareje të Kabinetit dhe nga akuzat për problemet në AKSH, problemi i vetëm që meritonte polemikë ishin daljet në TV të ministrave.

Po, daljet në çdo ekran të ministrave që bëjnë muhabet me vete, ose që diskutimet e zyrës i bartin në ndonjë cep të Shqipërisë duke shpenzuar kohën që duhet t’ua kushtojnë qytetarëve, është vërtet një shëmtim. Shumica nuk i pranojnë gazetarët, i montojnë lajmet me ekipet e tyre dhe ne i përcjellim pa asnjë mundësi verifikimi. Ndaj dje, vura bashkë me imazhin e tyre atë të Presidentit të SHBA-së ose të Prokurores së Përgjithshme, ku tregohej se kudo, shtetarët japin llogari përpara shtypit, jo kameramanit të ministrisë.

Akoma më i shëmtuar është fakti që këto kronika transmetohen edhe disa ditë më pas, kur protagonistët e tyre janë në impenjime të tjera ose nuk janë fare në Shqipëri. Nëse doni një shembull, mjafton të kujtoni se si Veliaj ishte në një event të Bashkisë “live”, kur BKH e mori nga zyra e tij. Shikuesit nuk kuptonin më lajmet që u vinin me njoftim për arrestimin, ndërkohë që ai vijonte të fliste në ekran. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur ministra të tjerë kanë qenë në Vjenë apo Emirate dhe ndërkohë shfaqeshin në ekran.

Por po të jap të drejtë: kjo s’ka ndonjë rëndësi. Rëndësi kanë dy “fake”:

E para, që llogaridhënia e ministrave përpara shtypit është zero, po zero.

E dyta, që shtypi është më përgjegjës se ministrat që ua transmeton kronikat e tyre. Po, përgjegjësia është e JONA!

Ndërkohë, postimi i Ramës dhe mesazhet që mora më bënë të kuptoj më mirë pse shoqëria shqiptare ka një ngërç që shumë shoqëri të tjera e kanë kapërcyer. Për fat të keq, Rama ishte pre e mendësisë së qeverisë së tij. Duke rrëmuar në profilin tim në Instagram, kishte parë postimet e mia të ditëve të fundit gjatë një turi në Amerikën e Jugut. Turi është bërë në gusht, kur ishim me pushime, ndërsa postimet e videove shtesë i publikova këto ditë.

Pra, ishin si videot e ministrave të tij, por me një ndryshim thelbësor: unë nuk kam pasur kurrë, në 33 vitet e fundit, punonjës publik; nuk jam paguar nga taksat e qytetarëve dhe as e kam detyrim t’u përgjigjem atyre. Dhe mund të postoj kur të dua, sepse nuk gënjej askënd. Aq më shumë që pjesa më e madhe e tyre mban shënimin “Gusht 2025”.

Unë jam një qytetar i lirë, që e ndërtoj jetën si dua. Dhëntë Zoti ta kem ndërtuar mirë. Kur Rama të jetë edhe ai i lirë, do ta kuptojë që kjo jetë e imja është më interesante sesa ajo që ka zgjedhur ai, dhe të cilën – ai e di shumë mirë – unë e kam refuzuar më shumë se një herë. Kam bërë gabim apo jo, pak rëndësi ka. Dhe vijoj ta refuzoj.

Së fundi, më lanë pa mend komentet dhe kurioziteti i njerëzve se përse më kishin kthyer mbrapsht nga Venezuela. Të dashur ndjekës, nuk e di pse Rama zgjodhi Venezuelën – çështje nënvetëdijeje – por po tallej. Dhe e thoshte vetë që po tallej. Mos i merrni talljet dhe shakatë për të vërteta, sepse pastaj problemi nuk është ai që bën shaka, por ai që i beson dhe i kthen në temë bisede.

Kategoria e fundit e këtij postimi janë “konspiracionistët”. Ata që thoshin “mos iu përgjigj se i heq vëmendjen”, ose që thoshin se është strategji për të devijuar vëmendjen.

Zonja dhe zotërinj, nëse një diskutim se si duhet të dalin ministrat në TV tërheq më shumë vëmendje sesa hallet dhe problemet tuaja, atëherë problemi nuk është Rama, por jeni JU!

E fundit: Rama e di shumë mirë se si ka qenë përballja e shtypit me politikën. Dhe mbase ende është i vetmi që vijon të ketë kurajë të përballet në emisione me gazetarë ose intervista. Ndaj unë e pres në studio me katër nga panelistët e djeshëm, për të folur për gjithçka që e shqetëson. Të paktën deri më sot, Rama nuk e ka pasur vesin e vartësve të tij, që kërkojnë të caktojnë edhe gazetarët me të cilët do të dalin në TV. Nëse vjen, mirë se të vijë…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit