Transmetuar më 09-01-2026, 20:32

Tiranë – Gjykata e Lartë ka ndërmarrë një ndryshim procedural në dosjen që lidhet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, duke zëvendësuar gjyqtarin relator të çështjes.

Sipas burimeve zyrtare, fillimisht në vitin 2022 shorti kishte caktuar si relator gjyqtarin Sokol Binaj. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai ka paraqitur dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes, duke çuar në rishpërndarjen e saj. Si relator i ri është caktuar gjyqtari Genti Shala, i cili është emëruar së fundmi në Gjykatën e Lartë.

Dorëheqja e Binajt lidhet me faktin se ai ka qenë më herët pjesë e trupave gjykuese që kanë shqyrtuar disa kërkesa të Saimir Tahirit, në kohën kur ushtronte funksionin në ish-Apelin për Krime të Rënda. Për të shmangur çdo konflikt interesi dhe për të garantuar paanshmërinë e procesit, gjyqtari ka vendosur të tërhiqet nga çështja.

Çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë pas rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila kundërshton vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta. SPAK kërkon që Tahiri të mos dënohet vetëm për shpërdorim detyre, por të shpallet fajtor edhe për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke kërkuar një dënim prej 12 vitesh burg.

Në shkallën e parë, ish-Gjykata për Krime të Rënda e kishte shpallur Tahirin fajtor për shpërdorim detyre, duke e dënuar me 5 vite burg, dënim që u ul në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Fillimisht u vendos pezullimi i dënimit, por Apeli i GJKKO-së e rrëzoi këtë vendim, duke lënë në fuqi vuajtjen efektive të dënimit.

Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Tahiri u lirua nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit, për arsye që lidhen me rrethana familjare dhe kushtet ligjore, pa e përfunduar plotësisht ekzekutimin e tij.

Aktualisht, në Gjykatën e Lartë pritet caktimi i datës së seancës, si edhe përzgjedhja e dy anëtarëve të tjerë të trupës gjykuese, të cilët së bashku me relatorin Genti Shala do të shqyrtojnë rekursin e SPAK dhe atë të Saimir Tahirit, i cili kërkon pafajësinë e plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit