

Duke nisur nga janari i këtij viti, kalendari kombëtar i vaksinimit ka pësuar ndryshime të rëndësishme, duke përfshirë edhe djemtë 13-vjeçarë në vaksinimin e detyrueshëm kundër virusit Human Papilloma (HPV). Deri më tani, kjo vaksinë aplikohej vetëm tek vajzat, si masë parandaluese ndaj kancerit të qafës së mitrës.
Ministria e Shëndetësisë tha në një njoftim se ka nisur vaksinimi ndaj HPV-së edhe për djemtë e moshës 13 vjeç, di pjesë e Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit.
Ministria saktësoi se "Vaksina kundër HPV-së mbron vajzat dhe gratë nga kanceri i qafës së mitrës". Ndërsa shtoi se tek meshkujt ndihmon në parandalimin e disa llojeve të kancereve të lidhura me HPV-në, si dhe ndikon në uljen e qarkullimit të përhapjes së virusit në popullatë".
MSH thotë se vaksinimi është i sigurt, efektiv dhe një hap i rëndësishëm në uljen e riskut për kancer tek brezi i ri.
Sakaa sipas Institutit të Shëndetit Publik, përfshirja e djemve në këtë program konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes së virusit, pasi ata mund të jenë bartës dhe transmetues të HPV-së. Vaksinimi në këtë moshë rrit ndjeshëm efektivitetin e mbrojtjes dhe kontribuon në uljen afatgjatë të rasteve të sëmundjeve të lidhura me këtë virus.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2026 janë 18.661 djem që mbushin moshën 13 vjeç dhe që tashmë përfshihen në skemën e detyrueshme të vaksinimit. Ndërkohë, gjatë viteve të fundit janë vaksinuar rreth 46 mijë vajza në rang kombëtar.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se zgjerimi i vaksinimit synon jo vetëm mbrojtjen individuale, por edhe forcimin e imunitetit në popullatë, duke ulur qarkullimin e virusit dhe rrezikun e sëmundjeve të lidhura me të në të ardhmen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






