

Durrës, 9 janar 2026
Vijon protesta e banorëve të Durrësit përpara godinës së Bashkisë, si reagim ndaj situatës së krijuar pas përmbytjeve që kanë prekur prej ditësh disa zona të qytetit. Qytetarët shprehin revoltën ndaj autoriteteve lokale, duke i akuzuar për mungesë reagimi dhe zgjidhjesh konkrete për dëmet e shkaktuara.
Gjatë protestës, banorët kanë bërë thirrje publike që edhe bashkëqytetarë të tjerë t’i bashkohen revoltës, ndërsa si shenjë simbolike pakënaqësie kanë hedhur domate dhe letra higjienike drejt godinës së Bashkisë së Durrësit.
Sipas protestuesve, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese, ndërkohë që ata pretendojnë se ndihma dhe ndërhyrja institucionale kanë qenë të pamjaftueshme. Qarku i Durrësit vijon të përballet me pasojat e reshjeve intensive, me zona të tëra ende nën ujë.
Autoritetet lokale nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me protestën dhe kërkesat e banorëve, ndërsa qytetarët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse situata nuk merr zgjidhje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






