Transmetuar më 09-01-2026, 18:50

SPAK dërgon për gjykim një grup të strukturuar kriminal për trafik kokaine

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe më 8 janar 2026 ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 296/2021, ndaj të pandehurve Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.

Dy shtetasit akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.

Origjina e hetimeve

Procedimi penal ka nisur pas një kërkese për bashkëpunim gjyqësor nga autoritetet italiane, konkretisht Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences – Drejtoria e Distriktit Antimafia, e cila po hetonte një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës.

Sipas autoriteteve italiane, grupi kriminal vepronte në disa shtete njëkohësisht, përfshirë Shqipërinë (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador, Panama) dhe Italinë, kryesisht në provincat e Pizës, Piemontes dhe Trevizos.

Hetimet nisën pas një operacioni të Guardia di Finanza në Livorno, në mars të vitit 2021, ku u kapën në flagrancë shtetas me origjinë shqiptare gjatë nxjerrjes së një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine.

Veprimet hetimore

Në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, autoritetet shqiptare dhe italiane përdorën metoda të avancuara hetimi, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, gjurmim GPS, vëzhgime fizike, kontrolle dhe monitorim të mjeteve të transportit.

Nga hetimet rezultoi ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i organizuar për importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në tregun italian, me përfshirjen e shtetasve shqiptarë, italianë dhe rumunë.

Sekuestrimet e dokumentuara

Gjatë hetimeve janë dokumentuar disa episode të rëndësishme sekuestrimi, ku përfshihen:

rreth 28 kg kokainë neto në Guasticce (korrik 2021);

mbi 70 kg kokainë neto në portin e Livornos (gusht 2021);

rreth 11.7 kg kokainë neto në kufirin tokësor të Gaggiolos (nëntor 2021);

mbi 140 kg kokainë në portin e Livornos (mars 2022);

mbi 400 kg kokainë në Frattamaggiore (prill 2022);

mbi 84.5 kg kokainë neto në Guidonia, Romë;

mbi 150 kg kokainë në Ekuador;

si dhe episode të tjera më të vogla të shpërndarjes.

Përgjegjësia penale

Sipas SPAK, për Maksim Ndocin është provuar përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë, si dhe në organizimin e importimit të një sasie tjetër prej rreth 120 kg.

Ndërsa për Juljan Kollçakun është dokumentuar përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, si dhe në importimin dhe shpërndarjen e sasive të tjera të drogës në territorin italian.

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale në Shqipëri për dy të pandehurit, çështje e cila tashmë është dërguar zyrtarisht për gjykim./Noa.al

E plotë / SPAK dërgon për gjykim procedimin penal kundër një grupi kriminal të trafikut të kokainës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, më 8.1.2026, kërkesën për gjykimin e procedimit penal, nr.296 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve. Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkepunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1, të Kodit Penal.

Origjina e procedimit

Procedimi penal nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane, konkretisht Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria e Distriktit Antimafia në lidhje me një procedim penal (nr.9740/21 RGNR mod.21). Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos).

Procedimi penal në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno).

Veprimet hetimore

Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (pergjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, rregjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.

Hetimet në Itali u kryen në kuadët të Skuadrës së Përbashkët Hetimore dhe verifikimeve, vëzhgimeve, përgjimeve të përsonave të përfshirë në këtë veprimtari, të cilit hynin dhe dilnin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga këto hetime u mblodhën prova që vërtetonin ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte importi dhe shpërndarja e kokainës në tregun italian.

Anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë:

Albert Turja, Roland Turja, Alfred Veshti, Klodian Veshti, Maksim Ndoci, Luca Koci, Aurel Zhupa, Ionut Pislariu, Errico D’Ambrosio, Vincenzo Di Corso, Mario Spiritoso, Fabio Consale.

Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador. Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë.

Episodet e sekuestrimit të lëndës narkotik

19.7. 2021, në magazinën Interpair në Guasticce (LI), – rreth 28 kg kokainë neto (pesha bruto 33.8 kg); 24.8.2021, në portin e Livornos (LI), – mb 70 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 84 kg); 22.11.2021,në kufirin tokësor të Gaggiolo (VA) – rreth 11.7 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 12 kg). Këtu u krye edhe arrestimi i korrierit të drogës Alberto Brandi, (i cili u ndoq penalisht veçmas); 2.3.2022, mbi 140 kg kokainë (pesha bruto mbi 158.5kg) në magazinën Reefer në portin e Livornos (LI). 5.4.2022, në Frattamaggiore (NA) – mbi 400 kg kokainë (pesha bruto mbi 489kg). 16.4.2022, në Guidonia (Romë) – mbi 84.5 kg kokainë neto (me një peshë bruto prej 1,110.5 kg); 30.6.2022, në Ostia – mbi 4 kg kokainë neto, pjesë e një dërgese prej 32 kg. 9.3.2022, në Guabo, një qytet pranë portit të Guayaquilit në Ekuador – 150 kg kokainë neto (mbi 169 kg bruto). Përgjegjësia penale e të pandehurve

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale në Shqipëri për shtetasit Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, për të cilët çështja është dërguar për gjykim më datë 8.1.2026.

Për të pandehurin Maksim Ndoci, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.

Për të pandehurin Juljan Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit