

Tiranë, 9 janar 2026
Zjarri që përfshiu tregun industrial në zonën e “5 Majit” në Tiranë është drejt shuarjes, por për qindra tregtarë pasojat sapo kanë nisur. Mes gërmadhave dhe strukturave të shkrumbuara, ata përballen me humbje që, sipas tyre, arrijnë në qindra mijëra euro, ndërsa e ardhmja mbetet e paqartë.
Tregtarët shprehen të tronditur dhe të zhgënjyer, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë e institucioneve dhe mundësinë e kompensimit të dëmeve. Shumë prej tyre deklarojnë se nuk u është lejuar të hyjnë për të shpëtuar mallrat gjatë përhapjes së flakëve, ndërsa vënë në dyshim gatishmërinë dhe pajisjet e shërbimeve zjarrfikëse.
Nga tregu trekatësh i ish-uzinës “Dinamo” kanë mbetur kryesisht struktura metalike dhe rrënoja. Edhe pas shuarjes së pjesës më të madhe të flakëve, nga disa zona vijon të dalë tym, ndërsa vatrat e vogla aktive mbahen nën monitorim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim zyrtar për shkakun e zjarrit. Në mënyrë joformale përmendet një incident elektrik, por mungon çdo sqarim nëse objekti kishte kaluar kontrolle teknike, nëse ishin funksionale sistemet kundër zjarrit apo nëse ishin kryer inspektime periodike.
Paqartësia dhe tensioni kanë sjellë edhe përplasje mes vetë tregtarëve, duke detyruar policinë të ndërhyjë dhe të shoqërojë disa persona pas debateve që rrezikuan të përshkallëzoheshin.
Në një zonë që prej kohësh po përjeton zhvillim intensiv ndërtimor, me pallate shumëkatëshe pranë tregut, disa tregtarë dhe banorë shprehin dyshime se zjarri mund të mos ketë qenë rastësor. Megjithatë, çdo pistë mbetet e hapur deri në përfundimin e hetimeve zyrtare.
Ndërsa flakët po shuhen, pyetjet për përgjegjësinë, sigurinë dhe kompensimin e dëmeve mbeten ende pa përgjigje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






