

Zvicër, 9 janar 2026
Autoritetet zviceriane kanë arrestuar Jacques Moretti, pronarin e barit luksoz “Le Constellation” në Crans-Montana, ku në natën e Vitit të Ri humbën jetën të paktën 40 persona, ndërsa 116 të tjerë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.
Në ditët pas zjarrit tragjik, zyra e prokurorit të kantonit Valais kishte përjashtuar fillimisht mundësinë e arrestimit, duke argumentuar se nuk ekzistonte rreziku i arratisjes për Morettin dhe bashkëshorten e tij. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar këtë vlerësim dhe ndalimi u konsiderua i nevojshëm nga autoritetet hetimore.
Ndërsa po largohej nga zyra e prokurorit, Jessica Moretti, bashkëshortja e të arrestuarit, u shfaq para mediave e përlotur, duke shprehur keqardhje dhe duke u kërkuar falje familjeve të viktimave.
“Mendimet e mia janë vazhdimisht me viktimat dhe me ata që po luftojnë për t’u shëruar. Është një tragjedi e paimagjinueshme. Ndodhi në lokalin tonë dhe dua të kërkoj falje,” deklaroi ajo.
Sipas autoriteteve, Jacques dhe Jessica Moretti po hetohen nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë vrasjen e paqëllimshme, ndërsa familjet e viktimave kanë depozituar padi penale pranë prokurorisë zviceriane lidhur me zjarrin në barin “Le Constellation”.
Çifti ka shprehur publikisht keqardhjen për ngjarjen dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin. Në një deklaratë të dhënë më 6 janar, ata u shprehën se janë të shkatërruar nga tragjedia dhe se mendimet e tyre janë me viktimat dhe familjarët e tyre.
Hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë e zjarrit vijojnë.
Les époux Moretti, propriétaires du bar Le Constellation, arrivent au siège du ministère public de Sion en Suisse entourés d'une foule de journalistes.➡️ https://t.co/nNdAvIHbZi pic.twitter.com/1viKGID5y4
— 20 Minutes (@20Minutes) January 9, 2026
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






