Transmetuar më 09-01-2026, 16:16

Tiranë, 9 janar 2026 – 15:43

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, si dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, të akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Së bashku me Becin, për këtë çështje janë dërguar për gjykim edhe: Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni.

Sipas SPAK, hetimi ka nisur kryesisht pas referimit të akteve nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit 69.5 milionë lekë.

Nga hetimet ka rezultuar se gjatë zhvillimit të procedurës janë konstatuar veprime të kundërligjshme nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime, sipas SPAK, kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, bazuar në provat e siguruara përmes teknikave të posaçme të hetimit, si dhe nga materiale të sekuestruara gjatë kontrolleve, rezulton se Benet Beci, në detyrën e Administratorit të KESH sh.a. në kohën e kryerjes së veprimeve, në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të tenderit, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

SPAK thekson se në këtë procedurë janë evidentuar shkelje të disa neneve të ligjit “Për prokurimin publik”, si dhe të rregullave përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Çështja tashmë i është kaluar gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit