Transmetuar më 09-01-2026, 15:30

Aksident tragjik në Korinth: Çifti 17 dhe 18 vjeç humb jetën – mesazhet prekëse të miqve

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Korinthin të enjten, duke i marrë jetën dy të rinjve, një 17-vjeçari dhe një 18-vjeçareje, të cilët rezulton se ishin çift.

Sipas autoriteteve, automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, kur doli nga rruga dhe u përplas me forcë të madhe në një banesë në zonën Examilia të Korinthit. Përplasja ishte aq e fortë, raporton noa.al, sa makina u shndërrua në një masë të deformuar metali.

Para se të përfundonte në oborrin e shtëpisë, mjeti kaloi përmes një karburanti që ndodhej në zonë, duke shtuar edhe më shumë përmasat e tragjedisë. Dy të rinjtë mbetën të bllokuar brenda automjetit.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse për nxjerrjen e tyre nga mjeti, policia rrugore si edhe ambulancat e shërbimit emergjent. Fatkeqësisht, të rinjtë u nxorën pa shenja jete dhe u transportuan në spital, ku u konfirmua vdekja e tyre.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe, ndërsa miqtë e dy viktimave i kanë dhënë lamtumirën përmes rrjeteve sociale, me mesazhe që kanë prekur thellë opinionin publik.

Miqtë e dy fëmijëve ende në moshë të mitur u dhanë lamtumirën atyre nëpërmjet rrjeteve sociale, me postimet e tyre që thyejnë zemrat: "Parajsë të bukur paçi o engjëj, ikët shumë shpejt dhe ishit aq të mirë, do na mungoni".

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas dëshmive të para, në momentin e ngjarjes në zonë po qarkullonin edhe disa automjete të tjera, të cilat dyshohet se po lëviznin në mënyrë të rrezikshme, çka mbetet pjesë e hetimit zyrtar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit