

Tiranë, 9 janar 2026
Zjarri masiv që përfshiu mbrëmjen e djeshme tregun e “5 Majit” në Tiranë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke shkrumbuar pothuajse tërësisht kapanonet dhe dyqanet e tregtarëve që ushtronin aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, pas shuarjes së flakëve kanë mbetur vetëm llamarina të djegura dhe rrënoja, ndërsa malli i tregtarëve është shkatërruar plotësisht. Vetë tregtarët raportojnë se dëmi financiar është tejet i konsiderueshëm, pasi i gjithë inventari ndodhej brenda kapanoneve të përfshira nga zjarri.
Nga të dhënat paraprake, flakët dyshohet se kanë nisur si pasojë e një defekti elektrik, pasi fillimisht është vënë re dalje tymi nga një prej strukturave, për t’u përhapur më pas me shpejtësi në të gjithë zonën. Megjithatë, shkaqet zyrtare të zjarrit mbeten ende nën hetim nga autoritetet përkatëse.
Bilanci paraprak flet për mbi 100 dyqane të shkrumbuara, ndërsa të paktën 50 subjekte tregtare që operonin në kapanonin ku nisën flakët kanë pësuar djegie të plotë të ambienteve dhe mallrave të tyre.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për vlerësimin e plotë të dëmeve.












Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






