

Tiranë, 9 janar 2026
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Intervent”, duke arrestuar autorin e dyshuar të grabitjes së një marketi në zonën e Yzberishtit, të ndodhur një ditë më parë.
Në pranga është vënë shtetasi Elkjer Tafciu, 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet se ka grabitur një shumë parash në marketin “Eco Market”, duke kërcënuar punonjësen me thikë. Gjatë ngjarjes, punonjësja ka pësuar dëmtime të lehta në dorë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori u lokalizua dhe u arrestua në zonën e njohur si Rruga e Qelqit, ndërsa nga verifikimet rezulton se ai ka precedentë penalë të mëparshëm për vjedhje me dhunë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet e Komisariatit Nr. 6, pas veprimeve intensive hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit në një kohë të shkurtër.
Punonjësja e marketit mori ndihmën mjekësore të nevojshme dhe u largua nga spitali pas trajtimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






